Mobile

Përdorimi i tabletëve në shtrat ul produktivitetin dhe gjumin

Jul 2 2013
0 Shpërndarje
Përdorimi i tabletëve në shtrat ul produktivitetin dhe gjumin

tabletsE keni vrarë ndonjëherë mendjen pse punonjësit janë aq përtacë dhe të plogësht ditët e sotme? Shpeshherë ua vëmë fajin motit të nxehtë apo fundjavave tepër argëtuese, por kërkimet tregojnë se ndoshta është një element tjetër po aq i rëndësishëm që ndikon në gjendjen tonë në punë: smartfonët dhe tabletët.

Bëhet fjalë për ndikimin negativ që kanë ekranet e pajisjeve mobile te sytë dhe truri ynë. Ja se ku qëndron problemi.

Dritat e forta para gjumit të natës janë armiku numër një i vetes sonë, sepse ato reduktojnë prodhimin e melatoninës, e cila ju ndihmon të bini në gjumë dhe të flini. Smartfonët dhe tabletët, pavarësisht se janë të vegjël, emetojnë ndriçim sepse mbahen shumë afër syve. Efekti i tyre është i njëjtë me qëndrimin në një dhomë të ndriçuar mirë. (Vetëm drita e telefonit tuaj është pothuajse e barabartë me gjysmën e asaj të një dhome me ndriçim normal). Për më tepër, valët e shkurtra të dritës në pjesën blu të spektrit prishin sistemin e gjumit. Ky është tipi i ndiçimit që emetohet në sasi të mëdha nga ekranet moderne LCD. Është pikërisht mungesa e gjumit që sjell shumë probleme të tjera, nga ulja e produktivitetit, rritja e numrit të aksidenteve, e deri tek sëmundjet si diabeti dhe kanceri.

Faktikisht, ky fenomen nuk është i ri. Shkencëtarët e kanë përmendur prej vitesh, vetëm se në mënyra të tjera. Të gjitha, duke filluar nga shikimi i televizorit në shtrat e deri tek dritat e forta në shtëpi gjatë natës ndikojnë në reduktimin e gjumit. Për të zgjidhur këtë problem, sugjerohet përdorimi i dritave të vogla të kuqe.

Sa më tepër të përdorni telefonin apo tabletin para se të flini, aq më shume probleme i shkaktoni vetes. Duke qenë se një pjesë e madhe njerëzish i përdorin këto pajisje në shtrat, për të dërguar e-maile, për të parë filma, për të lexuar libra, për të luajtur lojëra etj. Problemi po shndërrohet në një shqetësim universal, veçanërisht me përdoruesit e moshave të reja.

Cila është zgjidhja në këtë rast? Ekspertët shprehen se përdorimi i këtyre pajisjeve duhet të përfundojë plot dy orë para së të flemë. Madje, edhe mbajtja e celularit në dhomë nuk rekomandohet, sepse rritet mundësia që të zgjoheni në mes të natës dhe të kontrolloni telefonin.

Mundohuni t’i përdorni këto pajisje jo në dhomën e gjumit, pasi në këtë mënyrë truri juaj fillon të mos bëjë dallimin mes dhomës së gjumit dhe dhomës ku luani, punoni në kompjuter apo ku studioni. Mos harroni, sa më larg kohës së gjumit ta keni përdorur tabletin apo telefonin për herë të fundit, aq më mirë. (CIO Albanian)

Tags >

tablet
Lajmet e fundit>