Siguri

Përditësimi i Avira-s shkakton kaos në PC-të e Windows

May 17 2012
0 Shpërndarje
Përditësimi i Avira-s shkakton kaos në PC-të e Windows

Të martën kompania gjermane për siguri, Avira përditësoi antivirusin e saj. Si zakonisht përditësimet e antivirusit të Avira-s janë ditore, por përditësimi i të martës shkaktoi kokëçarje për përdoruesit e PC-ve të Windows.

Në këtë përditësim Avira kishte lançuar Service Pack 0 për Avira Version 2012. Këtu përfshihej edhe një përditësim për vetinë ProActiv, një sistem monitorues për proceset e dyshimta që mund të shpijnë tek një sulm malinj apo infektim të sistemit operativ. Pas këtij përditësimi, Avira atribuonte disa procese kyçe të Windows si procese të dyshimta duke ndaluar aktivizimin e tyre. Shumë përdorues kanë vuajtur për disa orë pasi në çdo proces të ri në Windows shfaqej njoftimi i Avira-s se procesi në fjalë është ndërprerë për shkak të dyshimeve se mund të dëmtoj sistemin operativ.

Ky problem është shfaqur për përdoruesit e produkteve me parapagim të kompanisë gjermane siç janë Avira Professional Security, Avira Internet Security 2012 dhe Avira Antivirus Premium 2012, çmimet e të cilave luhaten ndërmjet 30$ dhe 60$.

Jo shumë vonë Avira rregulloi këtë problem. Megjithatë ata zgjodhën mënyrën e lehtë duke çaktivizuar vetinë ProActiv, derisa të zbulohet shkaku real i këtij problemi.

Nuk është hera e parë që një antivirus has në probleme të tilla. Shtatorin e kaluar Security Essentials dhe Forefront të Microsoft kishin fshirë shfletuesin Chrome të Google nga mijëra PC pas një përditësimi të gabuar. Para këtij incidenti, kompanitë e mëdha në industrinë e sigurisë kompjuterike, Symantec, McAfee dhe Trend Micro kishin lëshuar përditësime që kishin shkaktuar shumë më tepër probleme se që ishte rasti i Avria-s të martën.

Problemi i të martës nuk ka rrezikuar sigurinë e PC-ve, pos që ka shkaktuar kokëçarje dhe ndoshta frikë momentale.

Sipas Opswat, produktet e Avira-s zënë 11.6% të tregut të antiviruseve duke u renditur në pozitën e dytë pas Avast dhe para AVG Technologies dhe Microsoft. /CIO.al/

Lajmet e fundit>