Siguri

Përditësimi i Autorun ul infektimet me malware

Jun 15 2011
0 Shpërndarje
Përditësimi i Autorun ul infektimet me malware

altMicrosoft sot vlerësoi se përditësimi i sigurisë i lëshuar në shkurt të këtij viti që ndalonte ekzekutimin automatik të dosjeve, AutoRun, ka ulur infektimet me malware në Windows XP dhe Vista deri në 82% që nga fillimi i muajit.

Para katër muajve, Microsoft u ofroi përdoruesve të XP dhe Vista-s një përditësim opcional, që më pas u rikthye në një përditësim për shkarkim dhe instalim automatik, për të ç’aktivizuar AutoRun.

Microsoft ndryshoi vetitë e AutoRun në Windows 7 duke bllokuar lançimin automatik të dosjeve në USB. Për këto ndryshime në Windows XP dhe Vista u lajmërua në vitin 2009, por deri në shkurt të këtij viti, përdoruesit duhej të shkarkonin këtë përditësim në mënyrë manuale.

Me këtë përditësim, USB-të e futura në PC që punojnë në XP ose Vista nuk ofrojnë më opcionin për të lançuar programet në mënyrë automatikë. Megjithatë kjo nuk vlen për CD apo DVD.

“Norma e infektimeve për Windows XP dhe Vista është ulur goxha shumë,” deklaroi Holly Stewart, menaxher në MMPC (Microsoft Malware Protection Center).

Sipas statistikave të përpiluara nga MMPC dhe të mbledhura nga MSRT (Malicious Software Removal Tool), një vegël e lirë që zbulon dhe fshin disa kode sulmuese, norma e infektimeve me malware që shpërndahet me anë të AutoRun është ulur ndjeshëm që nga muaji shkurt kur përditësimi u instalua nëpër XP dhe Vista.

Që nga janari i vitit 2011, një muaj para se të shpërndahet përditësimi për AutoRun, norma e infektimeve në XP Service Pack 3 (SP3) – i vetmi version i XP që akoma përkrahet nga Microsoft – kishte rënë për 62%. Norma e infektimeve në Vista SP1 kishte rënë për 68% ndërsa në Vista SP2 për të njëjtën periudhë kjo normë ishte ulur për 82%.

Lajmet e fundit>