Siguri

Përçarja, Anonymous sulmon WikiLeaks

Oct 17 2012
0 Shpërndarje
Përçarja, Anonymous sulmon WikiLeaks

Mes Anonymous dhe WikiLeaks ka nisur një mosmarrëveshje që kërcënon partneritetin mes grupeve “rebele” në qëllimin e tyre për të zbuluar sekretet qeveritare dhe krimet zyrtare.

Se sa e thellë është kjo përçarje mes tyre është vështirë të përcaktohet pasi nuk dihet qartësisht bashkëpunimi i tyre. Në një mesazh nga Anonymous IRC në Twitter shkruhej: “Fundi i një epoke. Nuk e ndjekim më @Wikileaks dhe kemi tërhequr mbështetjen tonë. Ishte ide e shkëlqyer, që u shkatërrua nga egot. Lamtumirë.”

Zhgënjimi i Anonymous me WikiLeaks nisi kur zbuluesit e sekreteve vendosën një faqe për të dhuruar, e cila shfaqej sa herë vizitohej faqja Global Intelligence Files. Skedarët e faqes përmbanin mbi 5 milionë e-maile nga kompania ndërkombëtare e inteligjencës Stratfor.

Anonymous ka deklaruar se ka hakuar faqen e Stratfor dhe se është marrë me dërgimin e e-maileve drejt WikiLeaks. Grupi i hakerave nuk ishte dakord me vendosjen e donacioneve, pasi beson se informacionet që ata japin duhet të jenë të lira dhe pa pagesë. Fillimisht ata postuan një mesazh ku i kërkonin WikiLeaks të tërhiqte opsionin e pagesës.

Fillimisht, WikiLeaks e mbrojti faqen e dhurimit, por më pas e hoqi atë. Mesa dukej, paratë do të përdoreshin për një fushatë për mbledhje fondesh e cila do të zgjaste 34 ditë dhe do të përdorej për të zbuluar informacione mbi qeverinë amerikane, tha udhëheqësi Julian Assange më 3 tetor.

Anonymous deklaron se ndihet e tradhtuar nga WikiLeaks

Anonymous vazhdon të mbetet një kërcënim i fuqishëm. Ata kishin filluar të përkrahnin WikiLeaks duke njoftuar për sulme në internet kundër armiqve të tyre.

Megjithatë, zemërimi i Anonymous shkon përtej faqes së dhurimit. Grupi beson se gjithçka e WikiLeaks po përqendrohet tek Julian Assange, i cili po lufton kundër ekstradimit në Suedi për akuzat e dhunimit. Aktualisht ndodhet në Ambasadën Ekuadoriane në Londër.

Ekuadori ka rënë dakord t’i japë atij azil politik, por autoritetet britanike nuk e lejojnë të largohet nga Britania. Assange pretendon se është i pafajshëm dhe i frikësohet idesë se në qoftë se dërgohet në Suedi, ndalesa e radhës do të jetë SHBA ku do të përballet me publikimin e dokumenteve sekrete.

Nga ana tjetër, grupi Anonoymous deklaron se i ka kthyer shpinën WikiLeaks, pasi veprimet e këtyre të fundit na kanë tradhtuar dhe që tani, WikiLeaks ka humbur mbështetësin më të madh e të fuqishëm. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>