Business & Management

Pajisjet mobile do të përbëjnë rrezikun kryesor të sigurisë së bizneseve në vitin 2014

Dec 29 2013
0 Shpërndarje
Pajisjet mobile do të përbëjnë rrezikun kryesor të sigurisë së bizneseve në vitin 2014

textSipas një kërkimi të realizuar së fundmi rezulton se ndërkohë që punonjësit përpiqen të punojnë gjithnjë e më tepër edhe kur janë në lëvizje, pajisjet mobile po shndërrohen shumë shpejt në një rrezik madhor për sigurinë e kompanive.

Studimi i realizuar nga Instituti Ponemon, qendër kërkimore mbi sigurinë, dhe Lumension, zhvillues softueresh për menaxhim dhe siguri, ka zbuluar se 75% e profesionistëve të sigurisë në fushën e IT-së janë shprehur se pajisjet mobile do të përbëjnë rrezikun më të fuqishëm për sigurinë e kompanive në vitin 2014, një rritje e konsiderueshme po të marrim parasysh se në vitin 2010 vetëm 9% kanë dhënë të njëjtën përgjigje. Ndërkohë, rreth 68% e të anketuarve kanë pohuar se pajisjet e tyre mobile janë vënë në shenjesteër të maluereve gjatë 12 muajve të fundit.

Larry Ponemon, drejtues dhe njëkohësisht themelues i Institutit Ponemon, është shprehur se gjatë 5 viteve të fundit natyra e rreziqeve ka ndryshuar tërësisht. “Trendi i të dhënave tregon një shqetësim në rritje nga viti në vit për shkak të “të shpërthimit” të pajisjeve mobile në rrjet. Tashmë ky është rreziku më i madh në teknologjinë e informacionit.” – tha Ponemon. Pavarësisht këtyre rezultateve, pothuajse gjysma e profesionistëve të sigurisë në fushën e IT-së janë shprehur se nuk i menaxhojnë pajisjet mobile që disponojnë vetë punonjësit.

Pavarësisht se ky është konsideruar si rreziku më madhor, pajisjet mobile nuk përbëjnë të vetmin kërcënim për sigurinë e kompanive. Studimi ka zbuluar se një shqetësim tjetër për profesionistët e IT-së konsiderohet edhe përhapja e rreziqeve të avancuara dhe të vazhdueshme (APT), të cilat hasen kur kriminelët kibernetikë aksesojnë rrjetet e kompanivë në përpjekje e sipër për të vjedhur të dhëna ose për të shkaktuar dëme të caktuara. Gjatë këtij viti, rreth 39% e të anketuarve kanë thënë se sulmet APT, të njohura ndryshe edhe si sulmet e synuara, përbëjnë një prej rreziqeve më shqetësuese (në vitin 2009 kjo vlerë ka qenë 55%).

Në përgjithësi, profesionistët e sigurisë kanë raportuar se gjatë këtij viti kanë qenë viktima të sulmeve të synuara dhe mbi të gjitha, e-mail-et e rreme të dërguara ndaj punonjësve janë identifikuar si strategjia kryesore e sulmit. Volumi i maluereve vazhdon të përshkallëzohet si problem. Sipas studimit rezulton se 41% e profesionistëve IT përballen me 50 sulme malueresh në muaj (rreth 15% më tepër krahasuar me tre vjet më parë). Ndërkohë, rreth 70% e të anktuarve janë shprehur se këto sulme kanë një ndikim të rëndësishëm në rritjen e kostove operative.

C.Edward Brice, zv.president i marketingut ndërkombëtar për Lumension, është shprehur se ndërkohë që natyra e rrjeteve të kompanive evolon duhet që të evolojë njëkohësisht edhe strategjia e sigurisë. Duke marrë parasysh se sa fleksibile janë të dhënat e organizatave në ditët e sotme, atëherë portofoli i sigurisë i viteve të kaluara nuk duhet të konsiderohet si opsion. “Teknologjitë e sigurisë duhet të rishikohen për t’u përshtatur me këtë natyrë të re rreziku. Edukimi i përdoruesit është gjithashtu shumë i rëndësishëm” – tha Brice. Ky studim është bazuar në anketimin e 676 profesionistëve të IT-së dhe të sigurisë të cilët kanë eksperiencë në sigurinë e rrjeteve të kompanive. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>