Internet

Orientimi nga softuerët si shërbim

Feb 24 2011
0 Shpërndarje
Orientimi nga softuerët si shërbim

Me rritjen e përdorimit të internetit, zhvillimin e shoqërive virtuale, shtrirjen e kompanive dhe shtimin e dinamizmit të jetës, gjithnjë e më tepër lind nevoja për centralizmin dhe aksesin më të lehtë në të dhëna. Problemet e shumta që lidhen me centralizimin dhe shpërndarjen e të dhënave, me licencimin e çdo softueri dhe instalimin e tyre në çdo pajisje, me shpenzimet e mëdha si dhe nevojën për akses kudo dhe kurdo i ka shtyrë ekspertët që të gjejnë një zgjidhje.

Zgjidhja e njohur në botën e teknologjisë është ofrimi i softuerit si shërbim (Software as a Service), që njihet si SaaS. Ky term për herë të parë është përdorur në vitin 2001 nga divizioni i biznesit elektronik (eBusiness) i Software & Information Industry (SIIA). Prej aplikacioneve të para SaaS ka qene SiteEasy, i cili është lançuar më 1998 në Siteeasy.com. Korporatat e mëdha e kanë nuhatur kapacitetin dhe përdorimin e SaaS dhe tani kemi një numër të madh aplikacionesh të suksesshme në desktop që janë transformuar dhe ofrohen si SaaS. Avantazhet më të mëdha të një aplikacioni SaaS janë aksesi kurdo dhe kudo përmes lidhjes së internetit dhe shfletuesit (browser). Për të nuk nevojitet instalim, nuk nevojitet mirëmbajtje (kopje rezervë, përditësime, siguri, etj.)sepse janë të përfshira në shërbim, nuk kufizohet në platforma apo në pajisje, etj.

 

Pa dyshim që kjo teknologji u ka ofruar bizneseve dhe përdoruesve të thjeshtë një mundësi më të lehtë dhe më efikase të përdorimit të aplikacioneve dhe si e tillë vazhdimisht është bërë një ‘kërcënim’ serioz për desktop aplikacionet. Mënyra klasike e aksesit dhe shpërndarjes së një dokumenti (p.sh. raporti pune, raporti financiar, etj.) ka qenë përmes memorieve të jashtme. Kjo mënyrë, për shkak të kufizimit harduerik, shpesh është dëshmuar si e mundimshme, ndërsa sot, duke shfrytëzuar SaaS, kemi shërbime të shumta që na mundësojnë të zhvillojmë dokumente tekstuale, dokumente që përmbajnë llogaritje të ndryshme online, siç është paketa Google Docs ose Microsoft Live Office.

Duke përdorur paketa të tilla lehtësohet gjithashtu edhe shpërndarja e dokumenteve te miqtë dhe kolegët. Një mënyrë me e avancuar e SaaS, që kanë guxuar ta provojnë disa kompani, është edhe zhvillimi i desktopëve online. Ekzistojnë disa shërbimet të cilat ofrojnë komplet zgjidhjet e dektopit në web, duke ofruar thuajse të gjitha veprimet që ndodhen në desktopin klasik, duke përfshire diskun, e-mailet, kalendarin, fajlat medialë dhe shumë gjëra të tjera. Një forcë të madhe këtyre shërbimeve ua japin edhe API-të e ndryshëm që u lejojnë zhvilluesve të bëjnë avancime dhe të zhvillojnë ‘shtojca’ të ndryshme.

Duke parë shumë shembuj të suksesshëm të ofrimit të softuerit si shërbim, e ardhmja duket se do t’u takojë këtyre shërbimeve. Kemi parasysh faktin se disa korporata kanë filluar të implementojnë sisteme operative që bazohen komplet në SaaS, si për shembull Google Chrome OS, i cili ka vetëm një browser për aksesin në shërbime dhe një media player. Përdorimi i aplikacioneve funksionale si shërbime nga bizneset në Kosovë/Shqipëri dhe posaçërisht nga bizneset e vogla dhe të mesme do të jetë një zgjidhje perfekte me qëllim të uljes së shpenzimeve të tyre, duke eliminuar nevojën për mirëmbajtje, harduer të veçantë, personel për mirëmbajtjen e sistemit, blerje të licencave të softuerit, dhomë të veçantë me klimatizim, etj., kurse aksesi do të ishte e mundur kurdoherë dhe nga kudo ku ka internet (zyra, shtëpia, etj.).

Në vendin tonë mund ta arrijmë shumë shpejt këtë teknologji, por do të duhet të kalojë edhe pak kohë derisa të kuptohet rëndësia e saj me qëllim që të kërkohet dhe pranohet në masë të gjerë. Ajo që mbetet për përdoruesit e thjeshtë është përdorimi më i madh i softuerëve si shërbim, ndërsa bizneseve u mbetet që zhvillimin e infrastrukturës së tyre softuerike dhe harduerike ta orientojnë nga softuerët si shërbim ngase do të zvogëlonin problemet dhe shpenzimet njëkohësisht.

Lajmet e fundit>