Internet

Operatorët tjerë mund të ofrojnë Internet përmes rrjetit Albtelecom

Jun 19 2012
0 Shpërndarje
Operatorët tjerë mund të ofrojnë Internet përmes rrjetit Albtelecom

Kompanitë Internet Service Provider (ISP), do të mund t’ju ofrojnë shërbimin klientëve nëpërmjet rrjetit të Albtelecom. Ky është një ndër rregullimet më të rëndësishme të tregut të Internetit në vitet e fundit dhe pritet t’i japë një nxitje të fortë konkurrencës mes operatorëve.

Autoriteti i Komunikimve Elektronike dhe Postare (AKEP), ka miratuar Ofertën Referencë të AksesitQarkun Lokal të Albtelecom ose RUO. Ky dokument lejon operatorët e rrjeteve të komunikimeve elektronike të përdorin linjat e bakrit të rrjetit të aksesit të Albtelecom, për t’ju ofruar pajtimtarëve të Albtelecom shërbime të aksesit me brez të gjerë në Internet dhe telefoni, pa qenë nevoja të ndërtojnë rrjetin e vet për lidhje me abonentin fundor.

Njëkohësisht, këto shërbime rrisin mundësinë e zgjedhjes për pajtimtarët e Albtelecom, si dhe konkurrencën në shërbimet e aksesit broadband dhe përfitimet e konsumatorit. Ky vendim është produkt i një procesi të gjatë rregullimi, i nisur që në vitin 2006, kur kjo ide u hodh për herë të parë, si pasqyrim i rregullimeve analoge të tregut në Bashkimin Europian.

Pagesa mujore që një operator duhet t’i bëjë për akses të plotë në rrjetin lokal është 678 lekë, ndërsa pagesa për akses të përbashkët është 407 lekë. Për ta thënë më thjeshtë: nëse një ISP i ofron shërbim Interneti një abonenti nëpërmjet linjave të bakrit të Albtelecom, duhet t’i paguajë kësaj shoqërie 407 lekë për përdorim të përbashkët të linjës dhe 678 lekë për përdorim të plotë. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>