Harduer

Operatorët e ATM-ve po konsiderojnë zëvendësimin e Windows XP me Linux

Mar 26 2014
0 Shpërndarje
Operatorët e ATM-ve po konsiderojnë zëvendësimin e Windows XP me Linux

2014-03-24-image-8Tashmë që po afron data e përfundimit (8 prill) të suportit për Windows XP nga Microsoft, një numër i konsiderueshëm firmash financiare dhe operatorësh ATM po konsiderojnë seriozisht kalimin në Linux. Migrimi në këtë sistem operativ open-source do t’ju ofrojë operatorëve më tepër kontroll ndaj ciklit të përditësimit të harduerit dhe softuerit.

Në përgjithësi operatorët preferojnë të sinkronizojnë ciklet e përditësimit të harduerit dhe softuerit, por tashmë kjo është e vështirë duke marrë parasysh se në krye të planit për përditësimin e softuerit është Microsoft. Për këtë arsye, firmat financiare po eksplorojnë përdorimin e një sistemi tjetër.

Në muajin janar të këtij viti është raportuar se 95% e ATM-ve në botë funksionojnë me Windows XP, sistem operativ i lançuar nga Microsoft para 12 vjetësh. Një pjesë e kompanive i kanë marrë masat prej kohësh megjithatë, 60% e 400 000 ATM-ve në SHBA pritet që të vazhdojnë të përdorin XP edhe pasi afati të ketë përfunduar.

Operatorët e ATM-ve e kanë ditur prej kohësh që në këtë periudhë do të përfundonte suporti zyrtar për XP, prandaj nuk mund të themi se ky lajm erdhi papritur. Pavarësisht faktit se Microsoft do të vazhdojë të sigurojë suport anti-maluer deri në mes të vitit 2015, efektiviteti i kësaj zgjidhjeje do të jetë i limituar. Sigurisht lind pyetja: Pse kanë pritur këta operatorë deri në minutën e fundit për të ndryshuar sistemin operativ? Ndoshta ato thjesht kanë dashur të shfrytëzojnë në maksimum sistemin XP dhe harduerin ekzistues.

ATM-të dhe terminalet POS do të duhet të përditësohen së shpejti për të suportuar linjën e re të kartave me PIN dhe mikrocip, lëvizje që pritet të realizohet vitin e ardhshëm. Duke marrë në konsideratë edhe këtë të fundit mund të themi se operatorët po përpiqen të marrin masat për të realizuar dy përditësimet në të njëjtën kohë. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>