Computer

Nxënësit dhe mësuesit e gjimnazeve do të pajisen me laptopë

Sep 9 2012
0 Shpërndarje
Nxënësit dhe mësuesit e gjimnazeve do të pajisen me laptopë

Qeveria shqiptare nënshkroi këtë javë një marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi me kompaninë “Intel”, me qëllim rritjen e aksesit në internetin me brez të gjerë dhe rritjen e cilësisë në arsim.

Memorandumi do të konsistojë në shpërndarjen e kompjuterave portabël dhe në ofrimin e trajnimeve për nxënësit dhe mësuesit e sistemit arsimor shqiptar. Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, Genc Pollo, dhe nga zv/presidenti i “Intel”, John Davies.

Sipas memorandumit, për nxënësit e arsimit të mesëm do të shpërndahen 60 mijë laptopë me çmime të subvencionuara. Kjo do të thotë se një në tre nxënës të arsimit të mesëm do pajiset me laptop, falë kësaj marrëveshjeje.

Ndërkohë, qeveria shqiptare dhe “Intel” kanë marrë përsipër të pajisin me laptopë edhe 6 mijë mësues dhe drejtues shkollorë të arsimit të mesëm publik. Gjithashtu, kontributi i “Intel” do të përfshijë edhe trajnimin e 12 mijë mësuesve, nëpërmjet programit “Intel Teach”, duke integruar teknologjinë në kurrikula, duke licencuar materialet e trajnimit për mësuesit, si edhe duke ofruar guida dhe mastera kualifikuesë deri në vitin 2015.

Lajmet e fundit>