Harduer

Nvidia synon të rrisë shpejtësinë e procesorëve grafikë me Maxwell dhe Volta

Mar 21 2013
0 Shpërndarje
Nvidia synon të rrisë shpejtësinë e procesorëve grafikë me Maxwell dhe Volta

NvidiaQëllimi më i fundit që Nvidia i ka vendosur vetes është prodhimi i procesorëve grafike që arrijnë të krijojnë paraqitje grafike (avatarë) reale nga fytyrat e njerëzve si dhe kërkime të fuqishme vizuale përmes së cilave arrihen të identifikohen imazhet për t’u lidhur më pas me termat e kërkimit të përdoruesit. Të dyja këto mund të realizohen në procesorët më të shpejtë që ofron për momentin Nvidia, të cilat janë të bazuara në arkitekturën Kepler, dhe përdoren në superkompjuterin më të shpejtë në botë, Titan.

Gjatë kësaj javë, Nvidia ka zbuluar detaje mbi pasardhësit e Kepler, të cilat janë teknologji më të avancuara që do të rrisin cilësinë e grafikës dhe do të lehtësojnë punën e programuesve për shkrimin e aplikacioneve të bazuara në GPU.

CEO i kompanisë, Jen-Hsun Huang tha se procesorët e rinj grafikë, të cilët mbajnë emrin e koduar Maxwell dhe Volta, janë pjesë e një sërë përditësimesh që planifikohen në teknologjinë e GPU-ve nga kompania.

Nvidia ofron një numër të madh procesorësh grafikë me më të njohurit GeForce për PC, Quadro për kompjuterë të fuqishëm zyre dhe Tesla për serverë dhe superkompjutera. Bërthamat e GeForce gjenden edhe në procesorët e vet Tegra, të cilët përdoren në tabletë dhe smartfonë. Ndërkohë, arkitekturat Maxwell dhe Volta do të përdoren në gjeneratat e ardhshme të procesorëve grafikë të kompanisë.Nvidia procesor

Një nga synimet e kësaj arkitekture është unifikimi i kujtesës GPU dhe CPU. Kujtesa GPU do jetë në gjendje të lexojë atë CPU dhe anasjelltas. Në këtë mënyrë, duke pasur një kujtesë të përbashkët për të dyja qëllimet, zhvilluesit do ta kenë më të lehtë të krijojnë aplikacione.

Kujtesa e përdorur në procesorët grafikë dhe PC bazohen në teknologji të ndryshme, të cilat mund të lidhen përmes teknologjive të virtualizimit si VGX. Krijimi i lidhjes mes burimeve të kujtesës në mënyrë të drejtpërdrejtë do të lehtësojë procesin e ndarjes së thread-eve të ndryshme mes GPU dhe CPU dhe do të sigurojë që pesha e punës dhe nën ndarjet e saj të trajtohen dhe të ekzekutohen saktë.

Maxwell do të përdoret më vonë edhe për procesorët e pajisjeve mobile, të cilat do të bazohen në arkitekturën ARM. Ndërkohë që Volta do të jetë procesor grafik më i vogël në madhësi dhe më efiçent përsa i përket aspektit të energjisë. Volta pritet gjithashtu të zgjidhë një nga sfidat më të mëdha të GPU-ve të sotme, që është bandwidth-i. Kompania synon të arrijë në 1 terabyte për sekondë bandwidth, e cila është e barabartë me kalimin e një filmi Blu-Ray në 1/50 e sekondës. (CIO Albanian)

Tags >

nvidia
Lajmet e fundit>