IT Organizate

Nokia largon Symbian-in

Dec 23 2011
0 Shpërndarje
Nokia largon Symbian-in

Versioni i ri i sistemit operativ të Nokias do të quhet Nokia Belle. Kjo u publikua në bllogun zyrtar të kompanisë të mërkurën.

Shumë thashetheme janë lidhur me sistemin operativ Symbian që nga fillimi i bashkëpunimit të Nokias me Microsoft. Edhe pse kompania finlandeze ka filluar bashkëpunimin me Microsoft në sistemin e ri operativ Windows Phone, ata nuk kanë hequr dorë nga Symbian. Kjo ka ndodhur për dy arsye. E para është që Nokia akoma nuk ka shpërndarë numër të mjaftueshëm të celularëve me sistemin operativ Windows Phone, dhe e dyta është që përkundër paralajmërimit për këtë sistem të ri operativ, Symbian ka vazhduar të ketë një pjesë solide të tregut.

Vetëm gjatë çerekut të tretë fiskal të këtij viti janë shitur më shumë se 19.5 milionë celularë të mençur të bazuar në sistemin operativ Symbian, që është rreth 17% e këtij tregu. Megjithatë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, Symbian ka shënuar rënie. Atëherë kishte shitur 29.5 milionë pajisje me Symbian dhe zotëronte 36.3% të tregut, por asokohe nuk ishte në treg sistemi operativ Windows Phone.

Symbian akoma renditet si sistemi operativ i dytë në tregun e celularëve pas Android, kryesisht falë faktit të popullaritetit të madh që Symbian ka në Evropën Lindore dhe Lindjen e Mesme.

 

Lajmet e fundit>