Data Center

Niveli (jo)profesional i IT-ve në Kosovë

Feb 23 2011
0 Shpërndarje
Niveli (jo)profesional i IT-ve në Kosovë

Zhvillimi i IT-ve në Kosovë është në një nivel mestar, edhe pse ka kompani që kanë kuadro të mirëfilltë të këtij profili, për të cilët kanë investuar, por duhet shtuar se një numër i madh i tyre kanë kaluar në kompani të huaja, ku puna dhe dija e tyre vlerësohet.

Për një IT dhe një trajnim të tijin për një produkt të caktuar jashtë vendit, kompania detyrohet të paguajë deri në 2000 euro, por kur përmendet një shumë e këtillë, gatishmëria e kompanive kosovare për të realizuar diçka të tillë mund të reduktohet deri në atë masë saqë mund të numërohen me gishtat e dorës kompanitë e gatshme për të vepruar në këtë drejtim. Në raste të caktuara te kompanitë private shfaqet edhe joprofesionalizmi i IT-ve, të cilët detyrohen të sfidohen nga produkte që i shohin për herë të parë, duke nënkuptuar se suksesi i tyre për të arritur diçka do të jetë në nivel minimal apo zero dhe si rezultat final do të ketë mosmarrëveshje mes IT-ve dhe klientit. Nëse hulumtojmë më thellë në institucionet tona dhe bëjmë një anketë me përdoruesit e pajisjeve, atëherë do të arrijmë në përfundimin se pjesa më e madhe e tyre, ose mbi 70 për qind, do të deklarojnë se nuk janë të kënaqur me shërbimet e kompanive.

Kush është fajtor?

Nëse faji bie mbi IT-të apo punëdhënësin është e vështirë të thuhet, pasipërherë faji mbetet jetim. Nuk mund të shfaqet profesionalizëm te personeli IT që përballet për herë të parë me një produkt që nuk e ka parë kurrë, pasi realisht ai nuk ka pasur mundësinë të jetë trajnuar në mënyrën e duhur dhe të ketë informatat e nevojshme për produktin e caktuar, qoftë ai nga HP, Canon, Xerox, Fujitsu apo Dell. Për të riparuar një printer, i pranishëm sot në zyra, shtëpi apo kudo tjetër, duhet të kesh njohuri për mënyrën se si funksionon, që nga procesi i krijimit të tekstit deri te vendosja në letër, por në praktikë ka raste kur IT-të ballafaqohen me kode gabimi dhe në mungesë të njohurisë, u vështirësohet suksesi në riparim.

Gabimet në konceptin e punës në shoqërinë tonë e shtyjnë një IT të kryejë punën e servisimit të kompjuterit, printerit, fotokopjes, plloterit e madje të luajë edhe rolin e hamallit. Kjo pa dyshim që nuk do të nxjerrë në skenë një IT të suksesshëm. Zhvillimi i teknologjisë informative ka bërë që njohuritë mbi këtë fushë të jenë të mëdha. Falë internetit ose revistave të specializuara në treg, që sjellin zhvillimet më të fundit, ata që janë të interesuar e gjejnë veten. Se sa është e gatshme shoqëria kosovare ta pranojë realitetin është e vështirë të merret një përgjigje. Në shumë raste ka madje acarime raportesh mes IT-së dhe klientit dhe mosmarrëveshje për shkak të mospranimit të vërejtjeve të klientit në drejtim të IT-së.

A ka shpresë për profesionistët e IT-së?

A ka IT profesionistë në Kosovë, të cilët janë të gatshëm të zgjidhin probleme të këtij niveli? Realisht po, por është e vështirë të thuhet se mund të ketë shumë të tillë. Ata janë të vështirë për t’u gjetur dhe zakonisht qëndrojnë pas skenës dhe larg terrenit. Zhvillimi i punës ka bërë që në shumicën e rasteve, për fat të keq, të punohet me një qasje tjetër, gjithmonë me premtime se pajisja do të riparohet, çka realisht shkakton vonesa të shumta për shkak se nuk sigurohen pjesët rezervë nga vetë shitësi dhe në fund viktima do të jetë klienti, i cili do ta hedhë tërë fajin mbi supet e IT-së. IT është ndër profesionet më atraktive në Kosovë dhe mendohet se është një profesion që paguhet mirë, por në realitet kjo mund të vërehet vetëm në institucionet shtetërore dhe në kompanitë e huaja që veprojnë në Kosovë, duke shkaktuar në këtë formë edhe shëtitjet e IT-ve nga njëra kompani në tjetrën. As përvoja shumëvjeçare nuk mund të thuhet që është faktor për të vlerësuar një IT të mirë apo të keq, për shkak se një IT mund të jetë shumë pasiv në punë dhe i paditur në fushën e teknologjisë informative, edhe pse ka punuar për shumë vite në një kompani. Rezultatet pozitive në Kosovë mungojnë ende sepse vërehet mungesa e vullnetit të mirë për të ofruar me sukses shërbime profesionale.

Lajmet e fundit>