Business & Management

Nisin aplikimet për regjistrimin e pronësisë intelektuale

Apr 10 2017
0 Shpërndarje
Ai parashikon lehtësim të procedurave të ekzaminimit, si dhe krijimi i një mjedisi ligjor për përmirësimin e shërbimeve elektronike dhe të komunikimit. Nisin aplikimet për regjistrimin e pronësisë intelektuale

Ka vetëm pak ditë që ka hyrë në fuqi ligji për Pronësinë Industriale i cili u miratua në shkurt të këtij viti. Drejtoria e Përgjithshme e Patentave dhe Markave ka bërë me dije se tashmë duhet të nisin aplikimet për të bërë të mundur regjistrimin e objekteve që do të konsiderohen si pronësi intelektuale, duke iu referuar ligjit të ri.

Ai parashikon lehtësim të procedurave të ekzaminimit, si dhe krijimi i një mjedisi ligjor për përmirësimin e shërbimeve elektronike dhe të komunikimit.

Bizneseve, por edhe individëve do t’u krijohet mundësia që të aplikojnë online. Me regjistrimin do të bëhet e mundur edhe sigurimi i objekteve të pronësisë intelektuale si dhe përdorimi i tyre si kolateral, me qëllim që të marrin vlerën e duhur në treg.

Gjithashtu ligji i ri parashikon edhe krijimin e bazës ligjore për licencimin e ekspertëve të pronësisë intelektuale për nevojat e proceseve gjyqësore dhe të hetimit.

Nga ana tjetër do të saktësohen procedurat për regjistrimin e treguesve gjeografikë dhe emërtimeve të origjinës me qëllim eliminimin e problemeve të hasura në praktikë.

Mbrojtja nga falsifikimi i produkteve do të ndihmojë në krijimin e një tregu të sigurt për prodhuesit vendas, si dhe më shumë cilësi për konsumatorët. Identifikimi dhe regjistrimi  i tyre do të nxisë rritjen ekonomike në zonat rurale, si dhe eksportin e produkteve shqiptare në tregun e huaj duke i bërë ato të mirënjohura në botë.

Gjatë vitit të kaluar numri i aplikimeve për regjistrimin e markave tregtare arriti në shifrën 1,055, ndërsa numri i aplikimeve për patentimin e shpikjeve nga nënshtetas shqiptarë u llogarit në 27. /Monitor

Lajmet e fundit>