Siguri

Nënshkruhet Kodi i Sjelljes për filtrimin e internetit

Feb 7 2013
0 Shpërndarje
Nënshkruhet Kodi i Sjelljes për filtrimin e internetit

Internet SecureKompanitë më të mëdha të telefonisë dhe internetit në vend nënshkruan sot një Kod Sjelljeje për përdorimin e sigurt të shërbimeve. Kodi përfshin një sërë standardesh për të garantuar më shumë mbrojtje për përdoruesit dhe sidomos për fëmijët.

Drejtori i përgjithshëm i “Albtelecom” dhe “Eagle Mobile”, Erkan Tabak, tha se, së shpejti, kompania më e madhe e internetit në vend do të prezantojë shërbime të reja për rritjen e sigurisë së përdoruesve.

“Në përputhje me Kodin e sotëm, Albtelecom do të ofrojë të parin mekanizëm të përshtatshëm për filtrimin e aksesit në internet të personave nën 18 vjeç. Së dyti, ne do të sigurojmë klasifikimin e përmbajtjes tregtare që hidhet në rrjet nga sipërmarrjet. Së treti, do të rrisim sensibilizimin, veçanërisht mes prindërve, lidhur me njohjen e instrumenteve të kontrollit prindëror për përdorimin e internetit nga fëmijët dhe adoleshentët,” tha z.Tabak.

AlbtelecomEagle-MobileMinistri i Inovacionit, Genc Pollo, tha se ky është një hap i rëndësishëm për t’i dhënë shoqërisë së informacionit siguri dhe besueshmëri.

“Sot, pas një pune njëvjeçare, jam shumë i gëzuar që jam i pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të Kodit të Sjelljes midis operatorëve mobilë dhe ISP-ve, për të futur praktika të reja dhe një trajtim më të kujdesshëm ndaj klientëve të tyre, pra ndaj marrësve të shërbimit të internetit, në mënyrë që gjithkush të ketë mundësi të mbrohet dhe të ketë dijeni se si të mbrohet,” tha Pollo.

Shqipëria është angazhuar në vitet e fundit, jo pa sukses, për të mbushur boshllëkun e prapambetjes së shërbimeve të teknologjisë së informacionit. Por, rritja e shpejtë e përdorimit të internetit dhe të shërbimeve të tjera të komunikimit vuri në dukje boshllëkun në rregulla dhe praktika për të siguruar mbrojtjen e përdoruesve dhe veçanërisht të fëmijëve. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>