Mobile

Në gjashtë muaj 2.1 milionë përdorues të roamingut nga jashtë

Oct 22 2012
0 Shpërndarje
Në gjashtë muaj 2.1 milionë përdorues të roamingut nga jashtë

Rreth 2.1 milionë përdorues të rrjeteve të huaja kanë përdorur shërbimin roaming në Shqipëri gjatë pjesës së parë të vitit 2012.

Sipas të dhënave zyrtare nga Autoritetit i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), 6-mujori i parë i këtij viti ka sjellë një rritje të ndjeshme të numrit të përdoruesve të këtij shërbimi.

Krahasuar me të njëtën periudhë të një viti më parë, vërehet një rritje me 50%. Shërbimi roaming mund të jetë një ndër treguesit e tërthortë më të rëndësishëm, për sa i përket numrit të turistëve në vend.

Ndonëse të dhënat për periudhën e verës, që përbën pikun e sezonit, nuk janë ende të disponueshme, duket se ky vit mund të ketë sjellë një tjetër rritje të të huajve që kanë vizituar Shqipërinë; pa harruar sigurisht edhe shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.

Shërbimi roaming në përgjithësi aktivizohet automatikisht me hyrjen në territorin shqiptar të përdoruesve të rrjeteve të huaja. E njëjta tendencë vërehet edhe për numrin e shqiptarëve që kanë përdorur shërbimin roaming jashtë vendit. Në gjashtë muajt e parë të vitit, rreth 423 mijë shqiptarë kanë aksesuar shërbimin roaming jashtë vendit, me një rritje me afërsisht 5% krahasuar me një vit më parë.

Megjithatë, sipas AKEP, përdorimi i mirëfilltë i roamingut për kryerjen e thirrjeve ngelet në nivele modeste.

Kryesisht vihet re që përdorimi i shërbimit roaming nga vizitorët e rrjeteve të huaja në Shqipëri është më i madh se përdorimi i roamingut ndërkombëtar nga pajtimtarët shqiptarë. (CIO Albanian)

Tags >

Shqipëri
Lajmet e fundit>