Microsoft

Nasdaq, sistemet kritike të tregtisë operojnë ende me Windows Server 2003

Dec 21 2013
0 Shpërndarje
Nasdaq, sistemet kritike të tregtisë operojnë ende me Windows Server 2003

windows-server-2003Sistemet kritike të përpunimit të të dhënave të cilat ishin përgjegjëse për ngrirjen e tregtisë që ndodhi në bursën Nasdaq, operonin me një version të vjetër të Windows-it.

Sipas një raporti nga Wall Street Journal, Nasdaq vazhdon të përdorë SIP-in (securities information processor – proçesorin e informacioneve lidhur me letrat vlerë) në Microsoft Windows Server 2003. Ai përdoret nga bursat e tjera për të caktuar vlerat para se të dhënat t’i jepen publikut.

Problemet me SIP-in e Nasdaq-ut shkaktuan një bllokim të madh në bursë në muajin gusht, ku tregu i letrave me vlerë ngriu për tre orë rresht. Problemet ndodhën për shkak se SIP-i nuk arriti të bënte kalimin në sistemet backup duke shkaktuar një derdhje papreçedente të dhënash nga bursa konkurrente NYSE.

Disa burime i kanë thënë WSJ se sistemi Windows nuk mendohet të ketë qenë shkaku i bllokimit, por dalja në pah e faktit se përdoret një version i vjetër i tij tregon edhe njëherë mungesën dhe neglizhencën e financimeve të rëndësishme në sistemet e tregtisë gjatë viteve të fundit.

Platformat teknologjike të bursave kanë filluar të vëzhgohen më me kujdes pas rastit të Nasdaq-ut. SEC-u (Securities and Exchange Commission) kërkoi që të aplikohen procese dhe vëzhgime për të eliminuar bllokime të ngjashme në të ardhmen.

Kjo nuk është hera e parë që Nasdaq është përballur me kritika në lidhje me versionet e vjetra të softuerëve të vet. Në vitin 2011, një hetim nga FBI-ja tregoi se bursa ishte një “target i lehtë” pikërisht për arsyen se serverët operonin ende me Windows 2003 dhe nuk kishin të instaluar arnimet e nevojshme të sigurisë. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>