Microsoft

Nadella bën thirrje për ndryshime brenda kompanisë Microsoft

Jul 15 2014
0 Shpërndarje
Nadella bën thirrje për ndryshime brenda kompanisë Microsoft

satya-nadellaShefi ekzekutiv i kompanisë Microsoft, Satya Nadella tregoi për një ndryshim madhor teksa fliste për qëllimet e kompanisë që ai drejton, për vitin e ardhshëm fiskal. Nadella, që e mori këtë pozitë nga Steve Ballmer gjatë shkurtit të këtij viti, është duke shikuar që ta ridefinojë atë që paraardhësi i tij e kishte quajtur si pjesa kyçe e kompanisë Microsoft. “Më së fundi, ne e kemi përshkruar veten si një kompani e “pajisjeve dhe shërbimeve”. Derisa përshkrimi për pajisjet dhe shërbimet ishte i dobishëm në fillimin e transformimit tonë, ne tani duhet ta përgatisim strategjinë tonë unike,” tha Nadella në një letër për punonjësit. “Në bërthamën tonë, Microsoft është kompani e produktivitetit dhe platformës pikë së pari për botën e pajisjeve mobile dhe cloud-it.”

Letra, e cila ishte si një njoftim për shtyp, tregonte për ndryshime madhore brenda kompanisë. Nadella është duke bërë përpjekje për ta “rrafshuar” kompaninë dhe riorganizimin e proceseve të veta. Nuk është ende e qartë nëse kjo përfshin largime nga puna. “Çdo skuadër përgjatë Microsoft-it duhet të gjejë rrugë për të thjeshtësuar dhe lëvizur më shpejt, në gjendje më efikase. Ne do të rrisim rrjedhshmërinë e informacioneve dhe ideve duke ndërmarrë aksione për ta rrafshuar organizimin dhe për të zhvilluar procese më të pakta biznesore,” tha Nadella. “Disa muaj më parë në një thirrje me investitorë unë e citova Nietzsche-n dhe thash që ne duhet të kemi “guxim në ballafaqimin me realitetin”. Edhe më e rëndësishmja, ne duhet të kemi kurajo në ballafaqim me mundësinë.”

Teksa Nadella nuk tregoi ndonjë lajmërim konkret, ai tregoi në përgjithësi se cili do të jetë përqendrimi i ri i kompanisë. “Si një kompani e madhe, unë mendoj që është kritike të definohet bërthama, por është e rëndësishme të bëhen zgjedhjet e mençura në biznese të tjera në të cilat ne mund të kemi ndikimin themelor dhe suksesin. Kategoria e vetme më e madhe e jetës dixhitale, e matur sipas kohës dhe parave të shpenzuara, në një botë mobile është gaming-u. Ne jemi fatlumë që kemi Xbox-in në familjen tonë për të shkuar pas kësaj mundësie me inovacion unik dhe të fortë,” tha ai.

Nadella ishte po ashtu optimist për Windows Phone dhe Surface Pro 3, që është lëshuar së fundi, të cilat ai i identifikoi si segmente të zgjerimit për ekosistemin e Windows-it. Në raportin e vet të fundit për fitimet, për tremujorin e tretë të vitit fiskal 2014, përfitimet e kompanisë Microsoft shënuan rënie për 6.6 për qind, në 20.4 miliardë dollarë. Rënia ishte shkaktuar nga zvogëlimi i shitjeve të PC-ve. Raporti vjetor për vitin fiskal 2014 do të lëshohet më 22 korrik 2014. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>