Siguri

Mozilla lançon Firefox 16.0.1 për të rregulluar disa dobësi

Oct 13 2012
0 Shpërndarje
Mozilla lançon Firefox 16.0.1 për të rregulluar disa dobësi

Mozilla ka lançuar Firefox 16.0.1, në të cilin janë rregulluar katër probleme, midis së cilave disa dobësi lidhur me sigurinë. Mozilla kishte ndaluar përkohësisht së shpërndari versionin e fundit të Firefox (16.0) për shkak të një dobësie lidhur me sigurinë.

Kjo dobësi lejonte sulmuesit të shihnin listën e faqeve të shfletuara dhe prekte vetëm versionin 16. “Dobësia mund të lejojë faqet me qëllime keqdashëse të kontrollojnë faqet që ka vizituar një përdorues dhe të aksesojnë URL-në dhe parametrat e saj.

Deri tani nuk kemi informacione se kjo dobësi është shfrytëzuar”,- shkruante drejtori i sigurisë së Mozilla-s Michael Coates. Ajo ishte zbuluar nga kërkuesi i sigurisë Gareth Heyes ditën e mërkurë. Ai kishte publikuar një kod, sipas së cilit mund të zbulohej emri i përdoruesit që ishte përdorur për t’u kyçur në Twitter.

Në Firefox janë përmirësuar edhe probleme të tjera

Përveç këtij problemi, versioni 16.0.1 ka edhe disa të tjera të rregulluara që preknin edhe versionet 15 e poshtë të shfletuesit. Në Firefox 16.0.1 janë përmirësuar edhe dy probleme me korruptimin e kujtesës që sjellin bllokim të programit si dhe që mund të shfrytëzohen për të ekzekutuar kode keqdashëse.

Nga ana tjetër, të enjten u lançuan edhe Thunderbird 16.0.1 dhe SeaMonkey 2.13.1 që i adresohen të njëjtave probleme që kishte versioni desktop i Firefox-it. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>