Investim

Motorola bëhet pronë e Google

May 24 2012
0 Shpërndarje
Motorola bëhet pronë e Google

Është miratuar marrëveshja për blerjen e kompanisë Motorola Mobility nga ana e Google. Me këtë vendim të autoriteteve rregulluese amerikane, Google tashmë është edhe një kompani hardueri, pasi për 12.5 miliardë dollarë bleu kompaninë Motorola Mobility.

“Motorola është një kompani teknologjike e madhe amerikane që ka sjellë një revolucion mobil me një histori mbi 80 vjeçare të prurjeve të mëdha teknologjike, përfshirë edhe celularin e parë. Si një ndër kompanitë e para që ka besuar në Android, Motorola është bërë një ndër partnerët më të rëndësishëm të Google,” – deklaroi CEO i gjigantit teknologjik, Larry Page.

Një ndër arsyet kryesore të blerjes së Motorola Mobility nga ana e Google ka qenë edhe portofoli i madh i patentave. Kjo pritet t’i japë një pozitë më të mirë Google në proceset gjyqësore ndaj Microsoft dhe Apple.

Google do të vazhdojë të prodhojë edhe celularë, të cilët sipas premtimeve nga Google përveçse do jenë interesantë dhe innovative, do të vijnë edhe me çmim më të ulët.

Motorola Mobility ka prodhuar edhe marrës për televizion, kështu që kjo blerje pritet të kontribuojë edhe në sektorin e Google TV, i cili nuk kishte arritur suksesin e planifikuar të kësaj kompanie.

Me kalimin në pronësi të Google, është ndërruar edhe CEO i Motorola Mobility. Sanjay Jha, që ka shërbyer në këtë pozitë nga viti 2008, do të zëvendësohet nga Dennis Woodside, deri tani nënpresident i parë i Google Americas dhe njëri ndër personat që ka udhëhequr këtë transaksion biznesi. /CIO.al/

Lajmet e fundit>