Investim

Miratohet vendimi për krijimin e fondit të inovacionit në Shqipëri

May 7 2018
0 Shpërndarje
Ky fond mbulon 50% të kostove të pranueshme dhe të miratuara nga komisioni vlerësues, në varësi të projektit konkurrues, dhe financim deri në 400 000 (katërqind mijë) lekë. Miratohet vendimi për krijimin e fondit të inovacionit në Shqipëri

Në datë 20.04.2018 është miratuar nga Këshilli i Ministrave vendimi për krijimin e fondit të inovacionit. Ky fond synon fuqizimin e ndërmarrjeve vendase, për përmirësimin e teknologjisë dhe për nxitjen e inovacionit dhe do të implementohet e menaxhohet nëpërmjet Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA).

Në dispozicion të kompanive shqiptare do të vendoset një fond me vlerë të përgjithshme prej 45 000 000 (dyzet e pesë milionë) lekësh, për një kohëzgjatje zbatimi prej 3 (tre) vjetësh, për periudhën 2018-2020 ku vlera për secilin vit do të jetë 15 000 000 (pesëmbëdhjetë milionë) lekë. Ky fond mbulon 50% të kostove të pranueshme dhe të miratuara nga komisioni vlerësues, në varësi të projektit konkurrues, dhe financim deri në 400 000 (katërqind mijë) lekë.

Po cilat janë këto kosto që mund të bashkëfinancohen? Sipas vendimit, po përmendim më poshtë disa prej tyre:

  • Auditim të kapacitetit inovativ dhe teknologjik, që synon t’u mundësojë ndërmarrjeve aplikante vlerësimin për nivelin ekzistues të teknologjisë dhe mundësitë për rinovimin e tyre të inovacionit dhe/ose pozicionimit teknologjik, sipas një strukture konkurruese zhvillimi;
  • Ndërkombëtarizimin e teknologjisë, e cila synon t’u mundësojë ndërmarrjeve aplikante të identifikojnë dhe të inspektojnë teknologjinë që kërkojnë të përshtatin;
  • Pjesëmarrje në panaire inovacioni, teknologjie dhe promovimi, në lidhje me inovacione të ndërmarrjes;
  • ç) Blerje pajisjesh teknologjike, që ndikojnë në rritjen e kapaciteteve inovative dhe teknologjike të ndërmarrjes.
  • Licenca ose patenta (software ose hardware)

Kushtet që duhet të plotësojnë kompanitë për tu përfshirë në fondin e inovacionit janë klasifikimi në biznese të vogla e të mesme, selia brenda kufijëve të Republikës së Shqipërisë si edhe të prodhojnë në Shqipëri produkte dhe/apo ofrojnë shërbime inovative, të cilat tregtohen brenda dhe/apo jashtë vendit.

Çdo informacion i mëtejshëm në lidhje me procedurat e aplikimit dhe kriteret për përzgjedhjen e përfituesve do të përcaktohen në rregulloren e funksionimit të Fondit të Inovacionit, në përgjegjësi të AIDA. /CIO Albanian

Lajmet e fundit>