Microsoft

Microsoft shton mjete të inteligjencës së biznesit në Office 365

Jul 9 2013
0 Shpërndarje
Microsoft shton mjete të inteligjencës së biznesit në Office 365

microsoft officeMicrosoft do të shtojë një sërë mjetesh të inteligjencës së biznesit në shërbimin e vet Office 365, përfshi disa mundësi që nuk ofrohen deri tani në softuerët e veçantë të kompanisë. Power BI për Office 365 “sjell gjithë stivën e mjeteve tona të inteligjencës së biznesit duke i ofruar ato si shërbime,” u shpreh Eron Kelly, menaxher i përgjithshëm për marketingun e SQL Server.

Power BI ofron për përdoruesit atë që Kelly e quan “vetëshërbim të inteligjencës së biznesit,” ose “aftësinë që përdoruesi përfundimtar, i cili gjendet pranë problemit të biznesit, të mbledhë të dhëna dhe informacione.” Microsoft do ta zbulojë këtë shërbim në Worldwide Partner Conference (WPC) në Houston.

Office 365 ofronte për momentin disa karakteristika për inteligjencë biznesi. Office 365 ProPlus ofron si Power View dhe Power Pivot përmes versionit online të Excel-it. Me këtë shërbim të ri, përdoruesve u jepet një faqe kryesore, e cila ofrohet nga SharePoint, së bashku me një katalog burimesh dhe një set mjetesh analitike. Excel-i shërben si pika fillestare e analizës.

Burimet e të dhënave, që zgjidhen nga një administrator, mund të merren si nga vetë organizata, ashtu edhe nga burime publike të dhënash si tabelat Wikipedia. Përdoruesi mund të ngarkojë një ose shumë burime të dhënash në një spreadsheet Excel-i dhe t’i analizojë ato përmes një sërë mjetesh të reja.

Një mjet i ri është edhe Power Query, i cili u mundëson përdoruesve të nxjerrin të dhëna nga faqe të jashtme në një spreadsheet Excel-i. Për shembull, përdoruesi ka mundësi të krijojë një spreadshët nga postimet në Twitter, duke i ndarë ato në bazë të datave, mesazheve, vendndodhjeve etj., në shtylla të ndryshme.

Një mjet tjetër është Power Map, i cili mund t’i vendosë të dhënat në një hartë që ofrohet nga Bing Maps. Për shembull, në të mund të shfaqet numri i mesazheve që kanë ardhur në Twitter nga çdo qytet i botës.

Raportet e krijuara mund të publikohen në katalogun e të dhënave të kompanisë, në mënyrë që të shihen edhe nga të tjerët. Microsoft po planifikon edhe lançimin e një aplikacioni mobile Power BI për Windows 8 dhe pajisjet iOS. Raportet, të cilat publikohen përmes Power View, mund të përshtaten edhe në HTML5.

Power BI vjen edhe me një motor kërkimi me gjuhët natyrore. Për shembull, përdoruesit mund të shkruajnë “How much revenue did product X generate last year?” (Sa të ardhura gjeneroi vitin e kaluar produkti X?) për të parë grafikë dhe të dhëna. Kjo e bën më të lehtë punën me përdoruesit që nuk dinë si të ndërtojnë një query SQL. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>