Aplikacione

Microsoft po përgatit aplikacionin mobil për administratorët e Office 365

Nov 22 2013
0 Shpërndarje
Microsoft po përgatit aplikacionin mobil për administratorët e Office 365

office-365-logo-100047935-largeAdministratorët e IT-së së postës elektronike të Office 365 në cloud dhe paketës së bashkëpunimit (collaboration suite) tashmë do të kenë mundësi të kontrollojnë platformën e menaxhimit nëpërmjet pajisjeve të tyre mobile.

Microsoft lançoi ditën e enjte versionin e aplikacionit të ri Office 365 Admin për Windows Phone 8, ndërsa në javët në vazhdim pritet që të lançohen edhe versionet për iOS dhe Android.

Aplikacioni Office 365 Admin lejon profesionistët e IT-së të kontrollojnë statusin e performancës së aplikacioneve që përfshihen në paketën Office 365, të cilat janë të hostuara në qendrat e të dhënave publike të Microsoft-it, si dhe të ndryshojnë funksionalitete të caktuara të përdoruesit ose sistemit.

Për të përdorur këtë aplikacion është e nevojshme që përdoruesi të ketë të drejtat e administratorit për një domein aktiv në Office 365.

Microsoft njoftoi gjithashtu se ka shtuar një opsion të ri në SharePoint Online, i dizajnuar për të lehtësuar mënyrën se si përdoruesit i shpërndajnë dokumentet me njerëzit jashtë organizatës së tyre. Opsioni lejon përdoruesit që me një klikim të gjenerojnë “guest link” ndaj një dokumenti që mund t’a ndajnë me këdo që dëshirojnë.

Dokumentet mund të ruhen në hapësirën në cloud të përdoruesit në SkyDrive Pro ose në librarinë e dokumenteve të tyre në SharePoint Online. Linqet mund të shërbejnë vetëm për të hapur dokumentin megjithatë në raste të caktuara dërguesi mund të konfirmojë edhe editimin e tij. Dërguesi i linkut mund t’a çaktivizojë atë kur të dojë në mënyrë që të mos jetë e mundur hapja e dokumentit.

Si përfundim, Microsoft ka njoftuar klientët e Office 365 se në tremujorin e parë të vitit 2014 do të lançojë një version të ri të shërbimit të kriptimit Exchange Hosted Encryption (EHE), i cili do të quhet Office 365 Message Encryption.

Ky shërbim do të përfshijë gjithçka që ka EHE aktualisht si dhe do të shtojë disa opsione të reja si p.sh mundësinë për të shtuar markën e tyre në mesazhet e kriptuara. Office 365 Message Encryption do të përfshihet pa pagesë në disa versione të paketës, ndërsa tek pjesa të tjetër do të ofrohet kundrejt një pagese të caktuar. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>