Microsoft

Microsoft Office vazhdon të jetë suita e preferuar në zyra pavarësisht konkurrencës

Oct 23 2013
0 Shpërndarje
Microsoft Office vazhdon të jetë suita e preferuar në zyra pavarësisht konkurrencës

office-logoNëpër zyra, njerëzit vazhdojnë të preferojnë Microsoft Office. Pavarësisht konkurrencës nga rivalët që ofrojnë suita open source, programe më të lira, të bazuara plotësisht në cloud apo më tepër të optimizuara për mobile, suita Office Desktop vazhdon të qëndrojë e fortë në krye të softuerëve të produktivitetit.

Rezultatet vijnë nga Forrester Research, të cilët kanë kryer një sondazh mes 155 profesionistëve të IT-së në kompani të ndryshme. Të gjithë kishin në dorë marrjen e vendimeve për suitat softuerike të kompanisë ku punonin. Këto rezultate kanë qenë pothuajse të njëjta përsa i përket suitës Office.

Ajo vazhdon të mbajë një pozicion mjaft të qëndrueshëm në treg. Pavarësisht faktit se programet e saj kanë më tepër opsione sesa iu duhen pjesës më të madhe të punonjësve të kompanive dhe faktit se janë më të shtrenjta, një arsye e përzgjedhjes është dëshira e vetë punonjësve të cilët e përdorin atë edhe në shtëpitë e tyre dhe janë mësuar me programet.

Ndër arsyet që ndikojnë në vendimin e konsumatorëve renditet edhe formati i skedarëve si dhe integrimi me sistemin e e-mailit të kompanisë (20% përdornin cloud-based email dhe 25% kishin në plan ta adaptonin). Arsye të tjera relativisht të rëndësishme ishin edhe reduktimi i kostove të licencave, përputhshmëria e makrot ekzistuese të kompanisë si dhe integrimi me platformën sociale të kompanisë.

Në total, 90% ishte përqindja e kompanive që kishin shpërndarë një kopje të Office tek punonjësit, ndërsa 6% u ofronin atyre edhe një suitë alternative. Ndër to renditeshin OpenOffice dhe LibreOffice, edhe pse përdorimi i këtyre të fundit ishte reduktuar nga hera e fundit që firma kishte bërë një kërkim të ngjashëm në treg, rreth dy vjet më parë.

Përsa i përket versioneve, Office 2010 është i përdoruri për momentin (85% e kompanive), i ndjekur nga Office 2007 (51%) dhe Office 2003 (28%). Adaptimi i këtij të fundit ka qenë më i ulët se ai i Office 2010 tre vjet më parë. Office për Mac 2011 gjendet në 17% të kompanive të pyetura, i ndjekur nga Google Docs (13%), Microsoft Office Web Apps (9%), OpenOffice (3%), LibreOffice (2%) dhe Corel WordPerfect Office si dhe IBM Docs, secila me 1%. (CIO Albanian)

office365

Lajmet e fundit>