Business & Management

Microsoft mund të marrë 1.25 miliardë $ nga Office në iOS, Android

Mar 30 2013
0 Shpërndarje
Microsoft mund të marrë 1.25 miliardë $ nga Office në iOS, Android

Microsoft officeMicrosoft mund të “rrëmbejë” mbi 1 miliardë $ të ardhura gjatë vitit të parë të lançimit të Office për iOS-in e Apple dhe Android-in e Google.

Gerry Purdy, drejtor i MobileTrax, bëri një llogaritje me disa supozime dhe doli në përfundimin që të ardhurat e Microsoft-it mund të rriten me 1.25 miliardë $.

Nëse këtu llogarisim edhe numrin e tabletëve, i cili pritet të dyfishohet këtë vit, atëherë kompania mund të përfitojë rreth 6 miliardë $ çdo vit nga versionet mobile të suitës.

“Këto janë llogaritje në vija të trasha, por ajo që doja të theksoja është numri në rritje i tabletëve dhe smartfonëve me iOS dhe Android, fakte këto që Microsoft-i nuk mund të vazhdojë t’i anashkalojë,” u shpreh Purdy.

Sipas vlerësimit të tij, në vitin e parë të suitës mobile, shifra prej 1.25 miliardë $ nënkupton supozimin se ajo do të përdoret nga 25% e përdoruesve të iOS dhe Android si dhe çmimi neto do të jetë 50 $ për kopje.

Nëse kjo vlerë do të jetë kaq nga ana e kompanisë, atëherë përdoruesit e iOS apo Android do të duhet të paguajnë 70 $, që do të thotë dyfishi i çmimeve të tre aplikacioneve që ka Apple mbi produktivitetin Pages, Numbers dhe Keynote.

Sipas një parashikimi të realizuar së fundmi nga IDC, numri total i tabletëve të shitur në vitin 2012 e ka kaluar 128 milionë njësi të shitura dhe këtë vit mund të arrijë në 190 milionë. Sipas IDC, kjo shifër mund të jetë e barabartë me numrin e PC-ve dhe Mac-ëve që priten të dërgohen për shitje gjatë 2013-s. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>