Siguri

Mësoni të krijoni fjalëkalime të vështira

Oct 26 2012
0 Shpërndarje
Mësoni të krijoni fjalëkalime të vështira

Fjalëkalimet janë pjesë e pandashme dhe e nevojshme e jetës sonë të përditshme. Nëse nuk kujdeseni siç duhet për to, atëherë mund t’i hapni vetes shumë probleme. Imagjinoni sikur të kishit një çelës të vetëm që hapte shtëpinë, garazhdin, zyrën dhe makinën tuaj. Dhe, për të pasur gjithmonë një çelës kudo ku jeni, keni bërë edhe 80 kopje të tij. Pastaj, keni shkruar edhe adresën tuaj në të gjitha kopjet. Ky është pak e shumë një paralelizëm nëse përdorni fjalëkalime të njëjta, të thjeshta për t’u gjetur në botën online. Fjalëkalimet duhet të jenë të krijuara për të mbajtur larg pajisjeve tuaja elektronike të huajt dhe kriminelët. Prandaj, më poshtë ju japim disa këshilla për të krijuar fjalëkalime të vështira.

Një fjalëkalim i vështirë është një që nuk gjendet lehtësisht, apo që nuk kapet me metodat e forcës brutale në një kohë të shkurtër. Kjo do të thotë që fjalëkalimi nuk duhet të jetë një fjalë nga fjalori, as emra të zakonshëm apo fjalë të shkurtra. Një fjalëkalim me 15 karaktere është 90 herë më i vështirë për t’u gjetur sesa një me 14 karaktere.

Një fjalëkalim i mirë përmban jo vetëm shkronja, por edhe karaktere. Me karaktere nënkuptohen numra, shenja pikësimi apo shkronja të mëdha dhe të vogla.

Pra, mirë është të keni një fjalëkalim me shkronja që nuk formojnë një fjalë. Por, ngaqë ato janë të vështira për t’u mbajtur mend, ju sugjerojmë të krijoni një formulë të cilën mund ta mbani mend vetëm ju dhe që nuk mund të merret me mend nga dikush tjetër.

Për shembull, mund të përdorni emrin e dikujt të shkruar për së prapthi, ose të shkruani me shkronja të mëdha disa fjalë që rimojnë me një tjetër, ose të shkruani një numër duke mbajtur të shtypur SHIFT që të merrni shenjat e pikësimit etj. Dhe, gjithashtu, nuk duhet të përdorni një formulë që është publikuar në PC World.

Mund të përdorni gjithmonë shkronjat apo rrokjet e para të çdo fjale në një fjali të gjatë.

Përdorni fjalëkalime të ndryshme për çdo faqe. Nëse dikush ju vjedh fjalëkalimin e e-mailit, nuk duhet të aksesojë llogarinë tuaj bankare më të njëjtin fjalëkalim. Sigurisht, ne nuk ju sugjerojmë të krijoni qindra fjalëkalime të ndryshme, kështu që vazhdoni të lexoni më poshtë.

Përdorni një program që menaxhon fjalëkalimet. Atje mund të mbani në mënyrë të enkriptuar fjalëkalimet tuaja. Të tilla programe janë për shembull Password Safe që mund të shkarkohet edhe nga PC World. Atje mund t’i ndani fjalëkalimet edhe nëpër grupe.

Asnjëherë mos jepni fjalëkalimet tuaja në asnjë vend:

– Mos shkruani asnjëherë fjalëkalimin në një faqe uebi që nuk është e sigurte

– Mos ia thoni asnjëherë fjalëkalimin dikujt që nuk keni besim

– Mos i dërgoni asnjëherë fjalëkalimet përmes e-mailit, edhe dikujt që mund t’i besoni

– Nëse një faqe uebi ofron verifikim të dyfishtë (si Gmail-i), përdoreni. (CIO.al)


Tags >

siguri
Lajmet e fundit>