Menaxhim Projektesh

Menaxhimi i shërbimeve të Teknologjisë Informative (MSTI) në Raiffeisen Bank Kosovo JSC

Feb 1 2011
0 Shpërndarje
Menaxhimi i shërbimeve të Teknologjisë Informative (MSTI) në Raiffeisen Bank Kosovo JSC

Misioni i Raiffeisen Bank Kosovo JSC (RBKO) është zhvillimi i marrëdhënieve afatgjata me klientët e saj duke ofruar një gamë produktesh kompetitive dhe standard të lartë shërbimi.
Në pajtim me misionin e saj, në prill 2009, RBKO filloi projektin e menaxhimit të shërbimeve të Teknologjisë Informative (MSTI).

Qëllimi kryesor ishte përmirësimi i kualitetit të shërbimeve të Teknologjisë Informative (TI), duke i krijuar bankës bazamentin që të hulumtojë mundësi të reja biznesi.
MSTI është një disiplinë për menaxhimin e shërbimeve të TI-së duke u fokusuar më tepër në aspektin operacional sesa teknik. Qëllimi kryesor është që të ofrojë kornizën e punës në bazë të së cilës ofruesit e shërbimeve të TI-së do të kryenin aktivitete të strukturuara të TI-së dhe do të bashkërendonin ndërveprimin e stafit të TI-së me klientët e biznesit.

MSTI u zhvillua krahas industrisë së shërbimeve si e tërë. Për rrjedhojë, ofruesit e shërbimeve të TI-së nuk e kanë më luksin të përqendrohen edhe më tej vetëm te teknologjia, por duhet të përqendrohen edhe te kualiteti i shërbimeve që ofrojnë dhe te marrëdhëniet me klientët. Si term, MSTI nuk është në pronësinë e asnjë individi apo organizate dhe  si i tillë nuk lidhet me produktin e ndonjë pale shitëse. Thjesht, MSTI është një disiplinë e orientuar drejt proceseve dhe mund të themi se ka lidhje me metodologjitë për përmirësimin e proceseve të zakonshme, si: 6 Sigma (Six Sigma), Menaxhimi Total i Kualitetit (Total Quality Management) dhe Menaxhimi i Proceseve të Biznesit (Business Process Management).Në një periudhë 20-mujore, RBKO e kompletoi me sukses projektin MSTI: rezultati ishte prezantimi i dhjetë proceseve të reja dhe përmirësimi i shtatë proceseve ekzistuese. Përveç kësaj, RBKO implementoi edhe softuerin e sistemit “BMC Remedy”, i cili lehtëson menaxhimin e MSTI-së në bankë.

Dhjetë proceset e reja të MSTI janë:

• Menaxhimi i Problemeve
• Menaxhimi i Ndryshimeve
• Menaxhimi i Konfigurimeve
• Menaxhimi i Publikimeve
• Menaxhimi i Nivelit të Shërbimeve
• Menaxhimi i Marrëdhënieve me Biznesin
• Menaxhimi i Raportimit të Shërbimeve
• Menaxhimi i Shërbimeve të reja dhe i atyre që pësojnë ndryshime
• Menaxhimi i Planifikimit dhe i Implementimit
• Sistemi i Menaxhimit
○ > Përmirësimi i Vazhdueshëm i Shërbimeve
○ > Menaxhimi i Rreziqeve të TI-së.

Shtatë proceset ekzistuese të përmirësuara janë:

• Menaxhimi i Incidenteve
• Menaxhimi i Kapacitetit
• Menaxhimi i Disponueshmërisë
• Menaxhimi i Vazhdimësisë së Shërbimeve të TI-së
• Menaxhimi i Furnitorëve
• Menaxhimi i Buxhetit dhe Kontabilitetit të TI-së
• Menaxhimi i Sigurisë së Informacioneve

Për implementimin e MSTI-së, RBKO ka aplikuar praktikat më të mira të Librarisë së Infrastrukturës së Teknologjisë Informative (LITI – anglisht: ITIL), versionin e tretë.

Përfitimet kryesore për RBKO-në nga projekti MSTI/LITI janë:

• Kualiteti më i lartë i shërbimeve të TI-së
• Efikasiteti më i lartë i punëtorëve të departamentit të TI-së
• Bashkërenditja e qëllimeve të TI-së me qëllimet e biznesit
• Zvogëlimi i rrezikut që ndërlidhet me shërbimet e TI-së
• Zvogëlimi i kostos operative të TI-së.

Edhe pse projekti ka përfunduar në dhjetor të vitit 2010, banka po vazhdon procesin e përmirësimit gjatë 2011-ës, duke mbledhur dhe analizuar gjetjet nga auditimi i brendshëm, vlerësimi i rreziqeve, shqyrtimi i shërbimeve me biznesin dhe shqyrtimi i shërbimeve me menaxhuesit e proceseve. Implementimi i këtyre gjetjeve do të trajtohet si projekt gjatë vitit 2011.

Lajmet e fundit>