IT Organizate

Mbahet Panasonic Convetion 2011

Feb 24 2011
0 Shpërndarje
Mbahet Panasonic Convetion 2011

Këtë vit konferenca e madhe e Panasonic u mbajt në Londër dhe numri i pjesëmarrësve ishte diku mbi 3,000 në anën e medieve, e gjithashtu në numër të njëjtë ishte edhe numri i pjesëmarrësve në nivel të partnerëve dhe stafit. Në mesin e mediumeve të shumta në Londër, ishte e pranishme edhe PCWorld Albanian që nën ftesën zyrtare të Panasonic, përcolli nga afër këtë ngjarje të madhe.

Për dallim prej vitit të kaluar këtë vit duket se koncentrim më i madh është bërë ndaj 3D-së, që kohëve të fundit po arrin kulminacionin e pranisë në produkte të ndryshme elektronike. Panasonic njihet si një prej pionierëve të tregut që ka prezantuar para konsumatorëve kamerën e parë 3D, kurse në anën tjetër është e kuptueshme se ka pasur dhe po vazhdon të ketë zgjidhje shumë të mira për secilin nivel të konsumatorëve në treg.

Kjo vërehet edhe nëpër dyqanet e Kosovës apo Shqipërisë ku kohëve të fundit po vërehet një numër i madh i pajisjeve elektronike të Panasonic. Me 15 shkurt, në ExCeL, Londër, Panasonic ka prezantuar produkte të shumta dhe në mesin e tyre janë renditur edhe disa produkte të reja të dedikuara për entuziastët e përmbajtjeve 3D si dhe për entuziastët e kamerave dhe aparateve digjitale. Me atë që u tha nga zyrtarët e lartë të Panasonic, si Laurent Abadie, Masayachi Fujii e Fabian Roph, këtë vit fokusimi i kompanisë do të vazhdojë të jetë i përqendruar në ofrimin e zgjidhjeve unike për 3D dhe LEC LCD TV, kamera të ndryshme , shërbime të reja, etj. Linjat e reja të modeleve të prezantuara sot në Londër përfshijnë modele të ndryshme LCD, dy modele të reja Panasonic VT 30, GT30 dhe një TV ST30 NeoPlasma, e gjithashtu edhe modele të reja si DT 30 series.

Përveç kësaj në kuadër të produkteve të prezantuar u përmendën edhe versionet e reja të lexuesve Blu-ray, si DMR-BWT800 dhe BWT700+. Kamerat e xhepit si HX-WA10 dhe HM-TA20 që do të paraqiten në fund të muajit prill në veçanti tërhoqën vëmendjen e publikut për shkak se ato mundësojnë incizim në kualitet të lartë HD, dhe gjithashtu janë të përshtatura për incizim në kushte të vështira atmosferike, si shi, dridhje, pluhur, etj. Me ekrane 3.0 inçëshe të ndjeshme në prekje LCD, kontrollimi i tyre është jashtëzakonisht i lehtë. Gjithashtu edhe në kuadër të linjës Lumix, u prezantuan dy modele të reja LUmix TZ20 dhe FT3. PCWorld Albanian pati rastin që të intervistojë edhe drejtorin e Panasonic Europe, përkatësisht z. Laurent Abadie, intervistë të cilën do të mund ta lexoni në numrin e radhës të kësaj reviste. Gjithashtu në kuadër të numrit të radhës do të gjeni edhe tema tjera të dedikuara enkas për Panasonic Convetion 2011 të cilin patëm rastin ta përcjellim nga afër.

Lajmet e fundit>