Internet

Luftë klanesh për internetin, Pollo hedh në gjyq Komisionin e Prokurimeve

Jul 20 2012
0 Shpërndarje
Luftë klanesh për internetin, Pollo hedh në gjyq Komisionin e Prokurimeve

Në kuadrin e strategjisë së Shqipërisë digjitale, një nga investimet më të rëndësishme të qeverisë është rrjeti kombëtar broadband.

Por, rreth këtij rrjeti lëvizin edhe interesa të shumta ekonomikë, aq sa ka ndezur një konflikt të hapur brenda qeverisë dhe klaneve të lidhura me të. Vitin e kaluar, Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi i dha pa asnjë procedurë konkurrimi shoqërisë “Albanian Telecommunication Union” (ATU) të drejtën ekskluzive për të shtruar një rrjet të fibrit optik në akset kryesore rrugore të vendit. Shoqëria “ATU” i takon biznesmenit Bashkim Ulaj, një ndër sipërmarrësit më të afërt me krerët e shumicës në pushtet.

Por, ky veprim ndezi konfliktin me ministrin tjetër, Genc Pollo, i cili ka ngelur i mënjanuar nga një procedurë që, sipas tij, duhej të menaxhohej nga dikasteri që ai drejton. Menjëherë, Ministri i Teknologjisë së Informacionit shpalli tenderin për rrjetin kombëtar broadband, duke përjashtuar nga e drejta e pjesëmarrjes shoqërinë ATU. Por pronari i ATU-së e shmangu pengesën duke hyrë në tender me një shoqëri tjetër në pronësi të tij, firmën e ndërtimit “Gener 2”, por, për të plotësuar kriteret teknike, pjesëmarrja u bë edhe në bashkëpunim me një kompani tjetër, “ECI Telecom”. Ky veprim ja prishi sërish planet Pollos, sepse në tender nuk u paraqitën ofertues tjerë. Në këto kushte, megjithëse Komisioni i

Vlerësimit të Ofertave nuk e kishte skualifikuar konzorciumin “Gener 2 & ECI Telecom”, Pollo vendosi ta anulojë tenderin, me arsyetimin kryesor se përfitimi i tenderit nga shoqëria e Bashkim Ulajt do të krijonte një situatë monopoli. Pollo akuzon hapur Olldashin se ka dhënë pa garë një leje ekskluzive, çka shkakton probleme në tregun e komunikimeve elektronike.

Sipas Pollos, nuk mund të lejohej që i njëjti biznesmen të kontrollonte edhe rrjetin broadband, edhe infrastrukturën e rrjetit, që ju dha nga Olldashi. Konsorciumi “Gener 2 & ECI Telecom” e ka ankimuar vendimin e Pollos në Komisionin e Prokurimit Publik, që më 12 qershor e ka cilësuar atë të drejtë dhe e ka anuluar urdhërin e ministrit Pollo. Por përsëri Pollo nuk e ka lënë me kaq dhe e ka çuar çështjen në Gjykatën e Tiranës, duke kërkuar shfuqizimin e vendimit të Komisionit të Prokurimit Publik.

Kjo i shton një seri tjetër telenovelës së rrjetit kombëtar broadband. Vendimi i gjykatës do të përcaktojë nëse rrjeti kombëtar broadband do të jetë apo jo monopol i njërit prej njerëzve më të afërt të klanit qeveritar. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>