Mobile

LinkedIn lançon versione komplet ndryshe të aplikacioneve për pajisjet mobile

Apr 19 2013
0 Shpërndarje
LinkedIn lançon versione komplet ndryshe të aplikacioneve për pajisjet mobile

Linked inLinkedIn ka lançuar versione komplet të riorganizuara të aplikacioneve për iPhone dhe Android si pjesë e përpjekjeve për të shndërruar këtë rrjet social për profesionistët në një destinacion të përditshëm, të pasur nga përmbajtja dhe lidhjet e krijuara mes anëtarëve.

Aplikacionet e reja, të cilat ngjajnë shumë pak me ato të mëparshmet kanë një dizajn të ri të freskët dhe të gjallë. Bëhet fjalë për një navigim të ripërpunuar si dhe karakteristika personalizimi të cilat kanë për qëllim kthimin e LinkedIn në një nga aplikacionet e preferuara dhe më të përdorura në iPhone dhe smartfonët Android. Këto aplikacione tashmë janë të disponueshme në 15 gjuhë të ndryshme të botës.

“Parimi themelor i këtij dizajni të ri lidhet me sjelljen sa më afër (vetëm një klikim larg) të çdo gjëje që përdorusi ka nevojë. Ne donim që ti ofronim gjithçka përdoruesve pa qenë e nevojshme për ta të kërkojnë informacione”,- tha Tomer Cohen, menaxher produkti në LinkedIn.

Kompania e ka realizuar këtë duke ofruar një menu navigimi më të pastër dhe më të përshtatshme, e cila përqëndron vëmendjen tuaj te gjithçka që ju intereson duke mundësuar kështu një eksperiencë navigimi dinamike.

Pikërisht ky ambient i ri në të cilin shfaqet çdo lajmërim është epiqendra e aplikacionit që do të tërheqë vëmendjen e përdoruesve dhe do të nxitë më tepër aktivitet në këtë rrjet social. Lajmërimet janë të organizuara në disa tipe publikimesh që quhen “karta” (cards), të cilat shfaqen tek njerëzit bazuar tek preferencat e navigimit.

Publikimet përfshijnë përditësimet e statuseve, përditësimet e lidhjeve, lajmet, postimet e grupeve, ndryshimet e vendeve të punës etj. Në qoftë se ju preferoni të lexoni më tepër publikimet e lajmeve atëherë do mund të shihni më tepër të tilla, ndërsa në qoftë se kërkoni punë atëherë do t’ju rekomandohen më tepër vende pune.

Për të prezantuar tek përdoruesit vetëm përditësimet e duhura LinkedIn është bazuar njëkohësisht tek mënyra e organizimit të faqes kryesore të filtruar të Facebook-ut si dhe tek stili i faqes së pafiltruar të Twitter-it. Algoritmi që mundëson këtë gjë, përzgjedh publikimet kryesore që prej vizitës tuaj të fundit në rast se ju nuk e vizitoni shpesh profilin tuaj në LinkedIn.

Këto aplikacione për pajisjet mobile akoma nuk kanë përfshirë disa veçori të reja të këtij rrjeti si p.sh “përmendjet” ose dhe kërkimin e përmirësuar. Megjithatë edhe këto karakteristika do të lançohen në këto versione së shpejti.

Kompania para se të lançonte këtë produkt pajisi të gjithë punonjësit e vet me versionet beta të aplikacioneve për ti testuar. Kjo ka bërë që LinkedIn të mbledhë dhe të analizojë të gjitha reagimet dhe sugjerimet e përdoruesve për të ofruar në fund një aplikacion fantastik. (CIO Albanian)

Tags >

linkedin
Lajmet e fundit>