Mobile

Linjat fikse, “thembra e Akilit” në tregun e komunikimit

Oct 8 2012
0 Shpërndarje
Linjat fikse, “thembra e Akilit” në tregun e komunikimit

Statistikat më të fundit të sektorit të telekomunikacioneve tregojnë se Shqipëria vazhdon të ketë diferenca të konsiderueshme me standardet e Bashkimit Europian, për sa i takon shtrirjes së infrastrukturës bazë të komunikimit.

Deri në mesin e këtij viti, Shqipëria regjistronte një penetrim të internetit me brez të gjerë, nëpërmjet linjave fikse, në nivelin 5.32%, nga 24.8% që është penetrimi mesatar në Bashkimin Europian.

Në fakt, linjat fikse janë pika më e dobët e zhvillimit të tregut të komunikimit në Shqipëri. Megjithë investimet në rritje vitet e fundit falë konkurrencës së shtuar mes Albtelecom dhe operatorëve alternativë, shërbimet bazuar mbi linja fikse ngelen pak të zhvilluara.

Edhe penetrimi i telefonisë fikse në Shqipëri ngelet në nivele të ulëta. Sipas statistikave më të fundit, penetrimi i telefonisë fikse është 11.5%, nga 45% që është mesatarja e Bashkimit Europian. Nga ana tjetër, Shqipëria ngelet mbprapa edhe për sa i takon internetit broadband, përmes rrjeteve të lëvizshme.

Shtrirja e këtij shërbimi është 1.34%, nga 7.2% që është mesatarja e BE. Në këtë rast, prapambetja lidhet me vonesën e licencimit të shërbimeve 3G dhe me tarifat e larta që aplikohen, si rezultat i liberalizimit shumë të ngadaltë të tregut.

I vetmi tregues ku Shqipëria ka një penetrim më të lartë se Bashkimi Europian është telefonia celulare. Kështu, penetrimi i telefonisë celulare në Shqipëri është 187%, nga 124% që është mesatarja e Bashkimit Europian.

Megjithatë, kjo vjen nga fakti që në Shqipëri është shumë i përhapur përdorimi i më shumë se një numri celular, pa llogaritur faktin se një pjesë shumë e madhe e 5.3 milionë kartave SIM të regjistruara, nuk janë aktive. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>