Internet

Liberalizohen domainet “.al”, së shpejti do të jepen nga privatët

Sep 24 2012
0 Shpërndarje
Liberalizohen domainet “.al”, së shpejti do të jepen nga privatët

Së shpejti, regjistrimi i domaineve shqiptare, atyre të zonës “.al”, do të bëhet nga kompani private. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka vendosur të liberalizojë të drejtën për të dhënë domaine, atribut që me rregulloren aktuale e gëzon vetëm AKEP.

Rregullorja e amenduar është hedhur në konsultim publik dhe pritet  të miratohet zyrtarisht nga Këshilli Drejtues i AKEP në muajin Nëntor.

Ky vendim shënon një kthesë të rëndësishme në mënyrën e administrimit dhe regjistrimit domaineve  në zonat .al, .com.al, .net.al, .org.al, edu.al.

Kriteret që një sipërmarrje private duhet të plotësojë për të  marrë të drejtën e  regjistrimit të  domaineve në  zonën .al, nga AKEP, janë që të jetë i regjistruar pranë QKR; të ushtrojë aktivitet si subjekt i së drejtës tregtare në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimet Elektronike; të këtë minimumi një person të diplomuar në fushën e Teknologjisë dhe Informacionit; regjistruesi nuk duhet të jetë subjekt i ndonjë procedurë falimentimi.

Vlera e Akreditimit, për çdo subjekt që kërkon të veprojë si regjistrues do të jetë 20 mijë lekë, ndërsa, vlera vjetore, që cdo subjekt i akredituar duhet të depozitojë paraprakisht për AKEP, në mënyrë që të veprojë si Regjistrues është 100 mijë lekë.

Për çdo domain të regjistruar, subjektet private duhet të depozitojnë 70% të tarifës aktuale të AKEP për regjistrimin e domainit. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>