Harduer

Lenovo i shmanget Dell në tregun e PC-ve

Apr 13 2012
0 Shpërndarje
Lenovo i shmanget Dell në tregun e PC-ve

Kompania kineze për prodhimin e kompjuterëve PC, Lenovo ka shtuar diferencën mbi kompaninë Dell duke u rehatuar në pozitën e dytë në tregun global të PC-ve. Megjithatë mbetet të shihet nëse prodhuesi kinez mund të arrij Hewlett-Packard në të ardhmen, deklarojnë nga kompania hulumtuese IDC.

Lenovo ka përfituar me ngritjen e tregut në Azi dhe zgjerimin e kompanisë nëpër Amerikë dhe Evropë, deklarojnë nga IDC. Liferimet e PC-ve të Lenovo’s janë rritur për 43.7% në krahasim me çerekun e parë të vitit të kaluar, e në të njëjtën kohë, liferimet e Dell kanë rënë për 2.1% në krahasim me vitin e kaluar.

Lenovo ka shpërndarë 11.7 milionë njësi, duke zotëruar 13.4% të tregut global në çerekun e parë të këtij viti. Kjo kompani po i afrohet me hapa të shpejtë kompanisë Hewlett-Packard e cila në çerekun e parë shpërndau 15.7 milionë njësi, një rritje prej 3.2% në krahasim me vitin e kaluar. HP kishte 18% të tregut të PC-ve gjatë çerekut të kaluar, derisa Dell mbylli këtë periudhë në pozitën e tretë me 11.6% të tregut dhe 10.1 milionë PC të hedhura në treg.

Sipas IDC, Lenovo po vazhdon momentin e pjesës së dytë të vitit të kaluar duke vazhduar rritjen e suksesshme në Kinë dhe tregjet tjera në Azi. Edhe HP ka arritur të rikthej besueshmërinë dhe konsumatorët pas një viti me plotë peripeci në lidhje me shitjen ose ristrukturimin e divizionit të PC-ve të kësaj kompanie. Edhe pse ka rënë nga pozita e dytë, në IDC mendojnë që edhe Dell do të përfitoj nga rritja e tregut të PC-ve meqenëse po fokusohen në PC të tregut të lartë siç janë PC-të XPS.

Në përgjithësi tregu i PC-ve ka shënuar rritje me 87 milionë njësi të hedhura në treg. Kjo rritje është 2.3% në krahasim me vitin e kaluar, një rezultat impresionues pas parashikimit të IDC për një rënie prej 0.9%. Këto parashikime nga IDC ishin bërë pas mungesës së disqeve të ngurta shkaku i vërshimeve në Tajlandë.

Në një studim tjetër nga firma hulumtuese Gartner, ngritja e tregut të PC-ve ishte paraparë të arrinte në 1.9%, kryesisht falë rritjeve të shpërndarjeve në regjionin e Evropës, Lindjes së Mesme dhe Afrikës. Shpërndarja në këtë treg ishte rritur për 6.7% derisa në SHBA për 3.5%. Ndërsa zona e Azisë dhe Paqësorit me Kinën nuk kishte arritur pritjet si rrjedhojë e rritjes më të ultë se që pritej në Indi dhe Kinë./cio.al/

Lajmet e fundit>