Business & Management

Kriza, ja si kanë rënë fitimet e kompanive të komunikimit

Jun 20 2012
0 Shpërndarje
Kriza, ja si kanë rënë fitimet e kompanive të komunikimit

Kriza ekonomike, rregullimi i tarifave dhe ashpërsimi i konkurrencës kanë bërë që tregu i telefonisë celulare të bjerë për të tretin vit radhazi. Sipas të dhënave financiare të kompanive, për vitin 2011 xhiroja e operatorëve celularë kishte vlerën e 39.2 miliardë lekëve, me një rënie prej 6.4% krahasuar me një vit më parë.

Kompania që ka humbur më shumë terren edhe për vitin 2011 ishte AMC, që pësoi rënie të të ardhurave me 20%. Pjesa e tregut e kompanisë së parë të telefonisë celulare në vend ka rënë më tej nga 40%, në 34%. Në rënie edhe Eagle Mobile, që për vitin 2011 realizoi një xhiro prej 4.9 miliardë lekësh, me një rënie vjetore prej 6.2%.

Vodafone Albania ngelet operatori më i sigurt dhe më i konsoliduar, të paktën përsa i takon aftësisë për të gjeneruar të ardhura. Për vitin 2011, xhiroja e kompanisë kishte vlerën e 20.3 miliardë lekëve, me një rritje prej 0.9%. Edhe Plus Communication ka raportuar një rritje të të ardhurave, por që nuk shpreh tendencë, pasi, për Plus, 2011 ishte viti i parë me aktivitet të plotë. Rënia e biznesit të operatorëve celularë nuk ka prekur vetëm të ardhurat, por edhe fitimet e tyre. Normat e fitimit prej 50% apo 60% të arritur deri tre vjet më parë nga AMC dhe Vodafone janë tashmë kujtim i largët.

Për vitin 2011, Vodafone Albania arriti një normë fitimi prej 21%, nga 29% që kishte qënë në vitin 2010. Ndërsa AMC deklaroi një normë fitimi 31%, nga 38% që kishte qënë në vitin e mëparshëm.

Ndërkohë, dy operatorët më të rinj në treg ende nuk kanë arritur të sigurojnë fitime. Kjo tregon se tregu i telefonisë celulare nuk është më një parajsë fitimesh marramendëse. Konkurrenca në rritje dhe ndërhyrjet më të vendosura të Autoritetit Rregullator, së bashku me efektet e krizës, kanë bërë që komunikimi i lëvizshëm të bëhet një treg mjaft sfidues. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>