IT Organizate

Kriza godet edhe tregjet e IT-së në rajonin tonë

Jan 26 2011
0 Shpërndarje
Kriza godet edhe tregjet e IT-së në rajonin tonë

Tregu i shërbimeve IT në rajonin e Adriatikut (ku përfshihet Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Sllovenia) ka pësuar një rënie prej 8.8 për qind nga viti në vit, në 968.03 milionë dollarë në vitin 2009.

Rënia pritet të jetë e pranishme edhe në vitin 2010 për shkak të ndikimit të theksuar të krizës financiare dhe recesionit global në shpenzimet për shërbime IT në rajonin tonë.Sipas një studimi të bërë nga kompania hulumtuese IDC, efektet e krizës në tregun e shërbimeve IT do të fillojnë të largohen në vitin 2011, kur pritet që tregu të ringjallet.

“Pas disa vitesh ku dominuan zgjerimet e bizneseve dhe investimet e mëdha në përgjithësi në IT dhe në veçanti në shërbime IT të mbijetesës (së biznesit), shkurtimet e kostos u bënë një realitet në vitin 2009 në shumë sektorë në rajonin e Adriatikut për shkak të krizës ekonomike”, ka bërë të ditur z. Dalibor Suboticanec, analist dhe hulumtues i lartë pranë IDC Adriatics.

“Në fillim të vitit 2010, ndërmarrjet në rajonin e Adriatikut ishin ende të tërhequra dhe ngurronin të investonin në IT dhe ne besojmë se ky trend do të fillojë të largohet vetëm në gjysmën e dytë të vitit 2011.”Kroacia ka mbetur tregu më i madh në rajon duke arritur gjithsej 40.7% të shpenzimeve totale. Pas saj vjen Sllovenia me 35.3% dhe Serbia me 12.6%. Maqedonia ka arritur në 4.3%, kurse Bosnja dhe Hercegovina në 3.9%. Në anën tjetër, Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi kanë kapur pjesën tjetër të mbetur prej 3.2 për qind të shpenzimeve për shërbime IT në rajonin e Adriatikut.Kategoria e sistemeve të integruara ka përfshirë pjesën më të madhe të pjesëmarrjes së të hyrave për shërbime IT në vitin 2009, me 15.9%, dhe pas saj është  renditur përkrahja me harduer dhe instalim me 14.5% dhe zhvillimi i aplikacioneve të veçanta me 13.9%.

Pavarësisht krizës, tregu rajonal po vazhdon të bëhet më i pjekur, me një ndërrim të dukshëm prej përkrahjes bazë dhe shërbimeve të instalimit drejt shërbimeve të nivelit më të lartë, siç janë integrimi i sistemeve, përpunimi i veçantë i tyre dhe outsourcing.S&T Group ishte prodhuesi numër një në rajonin e Adriatikut në vitin 2009 dhe pas saj renditej IBM dhe HP. Listën e top pesëshes e mbyllnin kompanitë Combis dhe SRC.Industritë e prodhimit dhe të konstruktimit u goditën rëndë, kurse sektori i fabrikave dhe i atyre që bazohen në buxhete publike (në veçanti shëndetësia, edukimi dhe qeveria) mbeti më i qëndrueshëm.Sektori financiar ishte shpenzuesi më i madh në shërbime IT në rajonin e Adriatikut duke kapur 20.2 për qind të tregut.

Sektori i kombinuar i qeverisë u rendit i dyti me një pjesëmarrje prej 19.7 për qind dhe pas saj renditej telekomunikimi me 18.8% pjesëmarrje dhe në fund sektori i prodhimit arriti në 8.4% pjesëmarrje për vitin e kaluar.IDC pret që tregu i shërbimeve IT në rajonin e Adriatikut të pësojë rënie të mëtejshme në vitin 2010, por në vitin 2011 do të rikthehet rritja, e cila do të jetë 7% në bazë vjetore, duke tentuar që të arrijë në 1.36 miliardë dollarë në vitin 2014. “Në momentin që rikthehet ambienti ekonomik, kompanitë do të fillojnë ta fokusojnë përqendrimin e tyre nga mbijetesa drejt arritjes së një avantazhi konkurrues kundër rivalëve të tyre në treg”, thekson Suboticanec. “Kjo do të ndikojë në rritjen e kërkesës për zgjidhje specifike industriale si dhe në rritjen e inteligjencës së biznesit dhe gjithashtu në veglat analizuese, të cilat do t’i ndihmojnë klientët të zgjerojnë operacionet e tyre dhe të jenë në një hap me tregun që do të ringjallet”.

Lajmet e fundit>