Siguri

Krimet digjitale “më të leverdisshme” sesa shitja e drogës!

Oct 26 2011
0 Shpërndarje
Krimet digjitale “më të leverdisshme” sesa shitja e drogës!

Symantec ka paraqitur raportin e saj Norton CyberCrime Report 2011 dhe nëse keni menduar se biznesi po ecën mirë vetëm për prodhuesit e celularëve dhe të celularëve të mençur… shtoni në këtë listë edhe cyber-kriminelët, pasi edhe ata po fitojnë.

Sipas Symantec, rreth 431 milionë të rritur anembanë botës janë viktima të cyber-krimit që prej vitit të kaluar, kurse kostoja totale e cyber-krimeve apo të ashtuquajturave krime digjitale kap shumën 114 miliardë dollarë. Kur Symantec llogarit edhe kohën që kanë humbur klientët prej krimit, atëherë vlera rritet edhe me 274 miliardë dollarë dhe në total shkon 388 miliardë dollarë. Nëse këto shifra janë të besueshme, atëherë kostoja e krimeve digjitale është më e madhe sesa tregtia globale me drogë, mariuanë dhe kokainë bashkërisht.

“Ka një lloj realiteti të çuditshëm në mënyrën se si njerëzit e shikojnë kërcënimin e krimit digjital”, thotë udhëheqësi këshillues për cyber-siguri pranë Norton, Adam Palmer, në një deklaratë. “Gjatë 12 muajve të fundit, tri herë më shumë të rritur janë përgjigjur se kanë përjetuar një krim online krahasuar me një krim offline, por megjithatë një e treta e të anketuarve ka thënë se ka gjasa të bëhen pre e një krimi digjital më shumë sesa e një krimi në botën reale gjatë vitit të ardhshëm”.

Sipas raportit, më shumë se dy të tretat e të anketuarve kanë thënë se kanë qenë pre e krimeve digjitale në jetën e tyre dhe Symantec më tej shton se 10 për qind e tyre kanë thënë se kanë qenë viktima të krimeve digjitale edhe në telefonat e tyre.

Për të përpiluar raportin, Symantec ka anketuar 12,700 të rritur në 24 shtete dhe e ka bërë anketimin prej muajit shkurt deri në mars 2011.

Lajmet e fundit>