Uncategorized

Kosova, vend atraktiv për investimet turke

Jul 25 2012
0 Shpërndarje
Kosova, vend atraktiv për investimet turke

Kosova ende nuk ka përgatitur një ambient atraktiv për investitorët e huaj, ndërsa disa projekte të cilat do të mund të ishin joshës për investitorët e jashtëm, kanë dështuar për shkak të përgatitjeve jo të duhura dhe joserioze të Qeverisë së Kosovës, siç është “Kosova e Re” dhe shitja e PTK-së. Kështu thuhet në hulumtimin e Qendrës për Hulumtime Strategjike e Sociale (STRAS), “Kosova mes Lindjes dhe Perëndimit, investimet e huaja direkte, si faktor i zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm”, hulumtim i cili u prezantua të mërkurën. Sipas hulumtimit, investimet turke pritet të rriten në mënyrë rapide në vitet në vijim.

Sipas tyre, edhe pse investimet janë një shpresë për ekonominë e Kosovës, ende nuk kanë arritur në vëllimin e kënaqshëm dhe se problem mbetet funksionimi i ligjit, efikasiteti i institucioneve dhe oferta e varfër kosovare për investitorët e huaj potencialë.

Ibrahim Rexhepi, drejtor ekzekutiv i STRAS-it, tha se qasja e investimeve të huaja direkte, ka qenë preokupim i vazhdueshëm i Qeverisë dhe të gjitha institucioneve të tjera, mirëpo nëse analizohen të arriturat e deritashme, nuk mund të thuhet se është arritur një optimum i kënaqshëm. Rexhepi, si oferta më konkrete përmendi koncensionimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, ku janë premtuar 100 milionë euro investime dhe privatizimi i Furnizimit dhe Distribucionit të KEK me një çmim prej 26.3 milionë euro, ndërsa me investime të premtuara direkte 200 deri në 300 milionë euro, kurse si projekte në pritje ka përmendur projektet “Kosova e re” dhe privatizimi i PTK-së.

Ai poashtu tha se procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore nuk ka qenë atraktiv dhe nuk ka sjellë investitorë seriozë në Kosovë dhe se problem për investitorët e mundshëm potencialë mbetet statusi ndërkombëtar i Kosovës dhe situata në veri të vendit. “Problematikë e investimeve mbetet statusi ndërkombëtar i Kosovës si dhe një jostabilitet, përkatësisht problematikë që ndërlidhet me situatën në veri të vendit. Në vitet 2007-2011, totali i investimeve sipas Bankës Qendrore të Kosovës, është një miliard e 800 milion euro, ku vërehet pjesëmarrja më e madhe që është nga Gjermania, Austria e Zvicra.

Këtë e kisha ndërlidhur me koncentrimin e madh të diasporës kosovare në këto tri vende. Në këtë periudhë pjesëmarrja e Turqisë është vetëm 4.4 për qind”, tha ai.
Si segment i veçantë i këtij hulumtimi, është relacioni Kosovë-Turqi, për shkak të disa projekteve kapitale, ku janë të angazhuara kompanitë private, duke filluar nga autostrada, pastaj koncensionimi i aeroportit, privatizimi i KEDS-it, në të cilat janë të përfshira kompanitë turke.

Rexhepi tha se kompanitë turke janë prezent në Kosovë, në projekte të mëdha, pasi që Turqia është vend me ndikim në rajon, me një rritje të madhe ekonomike dhe nuk është prekur nga kriza dhe nga problemet e borxheve.

Ai tha se investimet turke në Kosovë, në këtë fazë janë të vogla, mirëpo Turqia është vend në ardhje, nëse kemi parasysh dy projektet e mëdha investive si ANP dhe KEDS-i. Sipas Rexhepit, nga viti 2007 deri në vitin 2011, investimet turke janë vetëm 82 milionë euro, apo 4.4 për qind në total, dhe se në të ardhmen investimet turke do të jenë më të mëdha, kur kemi parasysh projektet nëse realizohen investimet në ANP dhe KEDS në shumën e premtuar, atëherë totali i tyre do të sillet diku 400 milionë euro, që është sa është shuma e investimeve të huaja në vitin 2007 që ka qenë niveli më i lartë i investimeve në Kosovë, raporton portali Telegrafi.com

Ndërsa Besim Beqaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik, tha se Kosova nuk ka fuqi blerëse e cila do të jetë atraktive për investimet e huaja. “Ne besojmë që Kosova ka filluar të hapet, por duhet të hap edhe më shumë oportunitete, mundësi të reja për investime të huaja të drejtpërdrejta”, tha Beqaj.

Ndërsa Mimoza Kusari-Lila, ministre e Tregtisë dhe Industrisë tha se Kosovën vitet e fundit e ka përcjellë një agjende politike më shumë se ekonomike. “Gjithmonë në opinion publik debatohet mbi nivelin apo uljen e nivelit të investimeve të huaja. Prag merret viti 2007, ku kemi pasur nivelin më të lartë të investimeve në Kosovë 440 milionë euro, për shkak të procesit të privatizimit, i cili ka qenë proces joideal dhe si proces i përcjellë me mjaft të meta. Kemi vërejtur një rënie nga viti 2007 deri në vitin 2009 gjegjësisht prej vitit 2010 ka filluar trend pozitiv. Vitin që lamë pas, e kemi përfunduar me një trend pozitiv dhe kemi arritur në 394 milionë euro”, tha Kusari.

Jose Sulemane, përfaqësues i FMN-së në Kosovë tha se Kosova është një vend i ri dhe ballafaqohet me sfida të mëdha. “Tri sfida me të cilën ballafaqohet ekonomia e Kosovës, është nevoja për një rritje të gjerë, përmirësim të kualitetit të jetës dhe mirëqenies sociale dhe qeverisja e llogaridhënia. Këto çështje duhet të jenë në kokat e institucioneve, sepse kanë ndikim në sektorin privat dhe investimet e huaja. Sfida afatmesme makroekonomike është që të ketë një ekonomi konkurruese dhe të zhvillohet një sektor i tregut, që të zëvendësohen importet. Modeli apo mënyra që po shkon tani, nuk është i qëndrueshëm. Kosova është shtet i ri dhe ka nevojë për shpenzime kapitale dhe shoqërore dhe se kjo krijon presion tek politik bërësit”, tha ai.
STRAS në hulumtimin e tij rekomandon ngritje të efikasitetit, begatim të ofertës dhe eliminim të barrierave burokratike, qoftë në nivel qendror, qoftë në atë lokal. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>