Menaxhim Projektesh

Kosova promovon outsourcing në CeBIT 2011

Mar 23 2011
0 Shpërndarje
Kosova promovon outsourcing në CeBIT 2011

Panairi i mbajtur më 2-6 mars në Hanover të Gjermanisë, këtë vit u përqendrua në promovimin e cloud computing, që po vazhdon të zhvillohet me hapa të shpejtë dhe që është në rrugë të mbarë për të bërë revolucion në industrinë e ICT-së.Rritja e aksesit në internet te pajisjet mobile po cilësohet si njëri prej faktorëve kyçë që po shtyn para zhvillimin e kësaj industrie dhe sipas disa parashikimeve të analistëve, mund të thuhet se ndërmarrjet do të bëjnë një ristrukturim të procesit të bërjes së biznesit për t’u përshtatur me teknikat e reja.

Tregjet në zhvillim e sipër, përfshirë këtu edhe Kosovën, po përjetojnë rritje në shitje, në shërbimet cloud, në shërbimet e të dhënave mobile, në shitjen e celularëve, në outsouricing, etj., ndërsa të vetmit faktorë që mund ta pengojnë këtë rritje mund të cilësohen të natyrës politike dhe të fuqisë punëtore. Njerëzit e talentuar, menaxherët e nivelit të lartë dhe platformat politike të dobishme mbi të cilat e bazojnë punën e tyre këta njerëz mund të ndikojnë në zhvillimin e ekonomisë dhe në përgjithësi të shoqërisë së vendit tonë.

Kosova ka treguar dhe po tregon potencial të madh në këtë drejtim dhe prania e kompanive nga Kosova në panaire të këtij niveli e dëshmon këtë gjë më së miri. Me këtë mund të nënkuptohet se krijimi i politikave më të mira për bizneset e sektorit të ICT-së duhet të jenë prioritet.

Organizatorë të kënaqur

Anëtarët e bordit organizativ të CeBIT 2011, pas përfundimit të panairit, deklaruan se panairi ishte i suksesshëm dhe se arriti rezultate të mahnitshme. Këtë vit panairi mblodhi më shumë se 4200 kompani nga mbi 70 shtete, përfshirë këtu edhe disa kompani që kishin munguar për disa vite me radhë, si Oracle, HP, Xerox, Canon, Epson dhe Siemens. Këto kompani kanë prezantuar shërbimet e tyre, të cilat shkojnë prej rrjeteve LTE e deri tek aplikacionet për celularë të mençur dhe PC.

Në nivel vendimmarrës të kompanive, rreth 500 CIO ndërkombëtarë ishin të pranishëm në CeBIT 2011 dhe përfaqësonin në fakt një blerje totale vjetore në vëllim me një vlerë mbi 50 miliardë euro. Bizneset janë shprehur mjaft pozitivisht në lidhje me ekspertizën e lartë teknike të vizitorëve të panairit dhe duket se kjo ka ndihmuar që ata këtë vit të jenë edhe më profesionistë. Sipas shifrave zyrtarëve, kjo ka ndikuar në rritjen prej 20 për qind në potencialin total të investimit në vëllim krahasuar me një vit më parë. “Për një periudhë prej 45 orësh, CeBIT ka gjeneruar mbi 7 milionë kontakte për biznes. Kjo e bën CeBIT-in platformën më efikase dhe në fakt udhëheqëse në treg për një formë të re të bërjes së biznesit”, tha një zyrtar i CeBIT.

Kompanitë nga Kosova

STIKK ishte angazhuar maksimalisht për t’u mundësuar pjesëmarrjen kompanive përfaqësuese nga Kosova, ndërsa përkrahjen materiale e kanë ofruar SIPPO, IPAK dhe GIZ, të cilat kanë siguruar 4 stenda ekspozimi dhe kanë krijuar mundësitë që në panair të marrin pjesë edhe kompani nga Kosova, të cilat kanë ekspozuar shërbimet e tyre. Në anën tjetër, shoqata STIKK e ka promovuar Kosovën si një destinacion për outsourcing.

Gjatë ditëve të ekspozimit stendën e kompanive nga Kosova e vizitoi edhe z. Vilson Mirdita, ambasador i Republikës së Kosovës në Gjermani, i cili ofroi mbështetje personale dhe në nivel institucional për iniciativat private për zhvillimin e biznesit dhe partneriteteve potenciale me shtete gjermanishtfolëse.

Lajmet e fundit>