Slider

Konkurrenca në linja fikse, Shqipëria me një rrjet prej 5700 km fibër optike

Oct 1 2012
0 Shpërndarje
Konkurrenca në linja fikse, Shqipëria me një rrjet prej 5700 km fibër optike

Në vitet e fundit, tregu i linjave fikse ka qënë padyshim fusha më aktive e betejës mes operatorëve të mëdhenj, atyre me fuqi të ndjeshme në treg dhe operatorëve alternativë.

Disa prej operatorëve alternativë kanë kryer investime të rëndësishme në linja fikse, me qëllim zgjerimin e pjesës së tregut dhe bazës së klientelës, kryesisht në shërbimin e internetit, por edhe në telefoninë fikse, madje disa prej tyre edhe në televizion kabllor.

Të dhënat tregojnë se deri në fund të 6-mujorit të parë të këtij viti, në Shqipëri rezultojnë të shtruara 5637 kilometra linjë fibrash optike, me një rritje prej rreth 21% që nga fundi i vitit të kaluar.

Albtelecom vazhdon të ruajë një avantazh, me një rrjet prej rreth 2837 kilometrash, por operatorët alternativë pothuajse e kanë arritur.

Kështu, në fund të 6-mujorit të parë operatorët alternativë zotëronin një rrjet prej 2800 kilometrash fibër optike, me një rritje prej 54% në raport me fundin e vitit të kaluar.

Ky progres i operatorëve më të vegjël ka ndryshuar ndjeshëm pjesët e tregut. Deri në vitin 2010, Albtelecom zotëronte 58% të tregut sipas numrit të abonentëve, ndërsa këtë vit pjesa e tregut ka rënë në 43%, çka tregon se tashmë operatorët alternativë kryesojnë tregun, ku spikasin Abcom me 19% dhe Abissnet me 10%. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>