Siguri

Konfiskohen faqe ueb me aplikacione për Android

Aug 23 2012
0 Shpërndarje
Konfiskohen faqe ueb me aplikacione për Android

Zyrtarë të zbatimit të ligjit në SHBA thanë të martën se tre faqe ueb, të cilat dyshohet se kanë bërë shpërndarjen e kopjeve ilegale të aplikacioneve me të drejta autori të telefonëve Android janë konfiskuar.

Ky është operacioni i parë i këtij lloji kundër dyqaneve të aplikacioneve për telefona.

Departamenti i Drejtësisë tha në një deklaratë se ka ekzekutuar një urdhër sekuestrimi nga gjykata federale kundër tre faqeve të internetit.

Në operacionin ku ishin të përfshirë FBI, Departamenti i Drejtësisë dhe disa zyra të prokurorisë amerikane, po ashtu edhe zyrtarë ligjorë nga Hollanda dhe Franca, rezultoi se tre domenët e konfiskuar – applanet.net, appbucket.net dhe snappzmarket.com – janë nën kujdestarinë e qeverisë federale dhe tanimë mbajnë një flamur të konfiskimit.

Në shumicën e rasteve, serverët të cilët ruajnë aplikacionet që shiten në “tregun alternativ online” gjenden në vende tjera, u tha në deklaratën e këtij departamenti.

Partnerët ndërkombëtarë për zbatimin e ligjit ndihmuan në marrjen apo sekuestrimin e të dhënave që ishin të ruajtura në këta serverë.

Gjatë operacionit, agjentët e FBI-së shkarkuan mijëra kopje të aplikacioneve të popullarizuara të cilat janë të mbrojtura me të drejta autori nga tregu alternativ online. Dyshohet se faqet kanë shpërndarë kopje të këtyre aplikacioneve pa lejen e zhvilluesve të tyre, u tha më tej.

Nëntë urdhëra për kërkim u zbatuan të martën në gjashtë rajone të ndryshme në të gjithë vendin, si pjesë e këtij operacioni.

“Aplikacionet softuerike janë bërë pjesë e rëndësishme e ekonomisë së vendit tonë dhe kulturës krijuese. Prandaj, sektori i veprave kriminale është i angazhuar të punojë me partnerët tanë të drejtësisë në mënyrë që t’i mbrojë krijuesit e këtyre aplikacioneve dhe formave tjera të pronësisë intelektuale nga ata që tentojnë t’i vjedhin ato” tha Lanny A. Breuer, ndihmës i Prokurorit të Përgjithshëm në Departamentin e Drejtësisë të Sektorit për Krime. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>