Internet

Konferencë kombëtare për filtrimin e internetit në Shqipëri

Feb 6 2013
0 Shpërndarje
Konferencë kombëtare për filtrimin e internetit në Shqipëri

internetOperatorët e komunikimeve elektronike ne Shqiperi do të firmosin një kod sjellje për ruajtjen sidomos të të miturve nga përmbajtje të dëmshme në internet.

Lajmi u bë i ditur gjatë Konferencës Kombëtare për internet të sigurt, që u mbajt sot në Tiranë, e organizuar nga Microsoft Albania. Ministri i Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit, Genc Pollo, tha se rritja e përdorimit të internetit në vitet e fundit e ka bërë më të rëndësishme çështjen e mbrojtjes së fëmijëve nga përdorimi i papërshtatshëm i internetit.

“Këtë të enjte, pas një pune njëvjeçare, do të jemi të pranishëm në ceremoninën e nënshkrimit të Kodit të Sjelljes midis operatorëve mobilë dhe ISP-ve, për të futur praktika të reja dhe një trajtim më të kujdesshëm ndaj klientëve të tyre, pra ndaj marrësve të shërbimit të internetit, në mënyrë që gjithkush të ketë mundësi të mbrohet dhe të ketë dijeni se si të mbrohet,” tha Pollo.

Ambasadori amerikan, Alexander Arvizu, përcolli një mesazh sensibilizues për përdorimin e sigurt të internetit nga fëmijët.

“Të gjithë kemi për detyrë të promovojmë përdorim të sigurt të internetit. Është e rëndësishme të jemi të gjithë të ndërgjegjshëm për këtë. Kompanitë e shërbimit të internetit duhet të forcojnë vetë filtra mbrojtës dhe programe të kontrollit prindëror.

Duhet të rritet kapaciteti i stafit të shkollave dhe i vetë nxënësve për mënyrat dhe format e përdorimit të sigurt të internetit,” tha Arvizu.

Numri i përdoruesve të teknologjisë së informacionit e të komunikimit, është rritur ndjeshëm. Numri i përdoruesve celularë në vend e kapërcen shifrën 100%, numri i smart phone-ve është rritur shpejt dhe tek ne dhe si përdorues të internetit llogaritet afro 60% e popullsisë. Shumë shpejt është rritur dhe numri i përdoruesve në rrjetet sociale.

Vetem në Facebook aktualisht ka gati 1.3 milion përdorues, ose e thënë ndryshe me shumë se 78% e popullsisë online janë aktivë në rrjetet sociale dhe rezulton që shumica e tyre janë të rinj nën 24 vjeç. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>