Computer

Kompjuteri ende “luks” për shqiptarët, e kanë 15.6% e familjeve

Sep 3 2012
0 Shpërndarje
Kompjuteri ende “luks” për shqiptarët, e kanë 15.6% e familjeve

15.6 në 100 familje shqiptare zotërojnë një kompjuter personal në shtëpitë e tyre.

Sipas të dhënave më të fundit të Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve (ITU) dhe Bankës Botërore, krahasuar me vitin 2005, penetrimi i kompjuterave në familjet shqiptare është rritur me më shumë se dy herë.

Nga ana tjetër, 11.7% e familjeve kanë në shtëpinë e tyre një lidhje interneti.

Edhe ky tregues është rritur me pak më shumë se dy herë krahasuar me vitin 2005, ndërkohë që numri i individëve që përdorin internetin është rritur me ritme shumë më të shpejta dhe ka arritur në 45%, nga 5% që ishte në vitin 2005.

Krahasimisht me vendet e rajonit, pozicionimi i Shqipërisë është i dobët veçanërisht për sa i takon gjendjes së kompjuterave dhe linjave të internetit në banesë.

Kështu, në Malin e Zi numri i kompjuterave për 100 familje është 32, ndërsa 21.9% e familjeve kanë një linjë për lidhje me internetin. Në Bosnjë-Hercegovinë, 33.7% e familjeve disponojnë një kompjuter, ndërsa 18.1% kanë një lidhje interneti. Në Serbi, 50.9% e familjeve zotërojnë një kompjuter, ndërkohë që 40.2% e tyre kanë një lidhje interneti.

Kjo shifër rritet akoma më shumë në Kroaci, ku një kompjuter e zotërojnë 60% e familjeve, ndërsa 56.5% e tyre kanë një linjë interneti. Në Maqedoni, 60.3% e familjeve zotërojnë kompjuter, ndërsa 49.2% e tyre kanë lidhje interneti në shtëpi. I vetmi vend që ndodhet mbrapa Shqipërisë është Kosova, ku 11.3% e familjeve kanë një kompjuter personal në shtëpi, ndërsa 7.5% e familjeve kanë një linjë interneti.

Të dhënat e mësipërme tregojnë se megjithë përparimet e bëra, retorika plot vetëkënaqësi e kryeministrit Berisha për zhvillimin e Shqipërisë dixhitale është e pavend.

Shqipëria ngelet mbrapa sidomos në atë tregues që reflekton shumë mundësitë ekonomike të shqiptarëve: të pasurit e një kompjuteri në shtëpi. (CIO Albanian)

Tags >

Shqipëri
Lajmet e fundit>