Siguri

Kinë, babai punëson "vrasës" për të dekurajuar vesin e të birit për lojërat online

Jan 11 2013
0 Shpërndarje
Kinë, babai punëson "vrasës" për të dekurajuar vesin e të birit për lojërat online

Hitman47Në Kinë, një prind i dëshpëruar nga pasioni obsesiv i djalit të tij për lojërat elektronike online ka punësuar disa persona që janë mjeshtër në lojën e parapëlqyer të të birit. Këta “lojtarë-kriminelë” do të sulmojnë dhe asgjësojnë vazhdimisht avatarin e djalit të tij për një kohë të gjatë me qëllim që ai ta heqë këtë ves.

Sipas “Sanqin Daily’’, babai i identifikuar vetëm si “Z. Feng,” vendosi të ndërmarrë këtë “komplot” për “vrasjen” kibernetike të djalit të tij, i cili e kishte të pamundur të hiqte dorë nga kompjuteri e të gjente kohën e mjaftueshme për të gjetur një punë.

Djali 23-vjeçar, i përmendur në artikull si “Xiao Feng,” ka hequr dorë nga puna e tij në një kompani që merrej me krijimin e programeve kompjuterike, vetëm tre muaj pasi ishte punësuar, duke qenë se ishte i pakënaqur me atë punë.

I mërzitur me djalin që luante lojëra në vend që të kërkonte punë, babai hartoi një skemë djallëzore për të shkurajuar dashurinë e të riut për lojërat online. “Vrasësit kibernetikë” u përzgjodhën më të aftë se djali i tij me qëllim që sa herë të hynte në lojë i riu të gjurmohej dhe “vritej” pa e lejuar të shijojë kënaqësinë e fitores.

Xiao Feng, i cili deri atëherë kishte qenë i sigurt për aftësinë e tij në lojë i tha së përditshmes “Guangzhou” se ai ishte tronditur dhe irrituar që karakteri i tij vritej menjëherë sapo hynte në lojë, por shpejt filloi të dyshonte se diçka nuk shkonte.

“Nuk kishte ndodhur ndonjë ngatërresë apo armiqësi mes meje dhe “lojtarëve-mjeshtër” të lojës, të cilët po me eliminonin vazhdimisht, kështu që unë kuptova se kjo ishte diçka e çuditshme”,- tha ai. Pasi mori në pyetje shumë lojtarë të së njëjtës lojë, Xiao Feng, mësoi shumë shpejt rreth komplotit të të atit. CyberPor në vend që të ndalonte lojën e tij, “Sanqin Daily’’ citon se i riu, i cili pretendon se babai i tij e ekzagjeron pakëz “vesin e tij të vogël” u ballafaqua me të duke i premtuar se do të kërkonte një punë, e cila do ta gëzonte atë.

Babai Xiao Feng nuk është prindi i vetëm në Kinë që ka tentuar të marrë masa ekstreme për t’iu përgjigjur zakonit të keq të të luajturit online.

Sipas një raporti të “Popular Science” të vitit 2009, kampe riedukimi për ata që janë të varur nga lojërat elektronike janë bërë popullore në mesin e disa prindërve kinezë, të cilët besojnë se fëmijët e tyre duhen dërguar në programe trajtimi për të çrrënjosur varësinë e tyre në lojërat elektronike. Rëndom stafi i kampeve të tilla përbëhet nga ushtarët e Ushtrisë Popullore Çlirimtare. (CIO Albanian)

Tags >

internet
Lajmet e fundit>