Siguri

Kina mohon deklaratat e McAfee

Aug 8 2011
0 Shpërndarje
Kina mohon deklaratat e McAfee

Gazeta zyrtare e Partisë Komuniste Kineze ka mohuar akuzat e kompanisë McAfee për sulmet në më shumë se 72 kompani dhe organizata të ndryshme, sulme që konsideroheshin se janë mbështetur nga një qeveri kombëtare duke aluduar në atë kineze.

Artikulli në gazetën People’s Daily të premten është komenti më i afërt nga qeveria kineze në lidhje me sulmet e raportuara që kishin prekur 14 shtete dhe kishin vjedhur sekrete kombëtare dhe plane të ndjeshme biznesi.

Raporti i McAfee nuk ka cekur se cila qeveri ka mbështetur sulmet, por ekspertët dyshojnë për qeverinë kineze kryesisht për shkak të organizatave që janë sulmuar. Në mesin e tyre ishin Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, Agjencia Botërore Anti-Doping, Kombet e Bashkuara, dhe kompani në Korenë Jugore, SHBA, dhe Tajvan.

Edhe më herët Kina është akuzuar nga kompani të ndryshme për sulme të mëdha interneti. Në qershor Google deklaroi që kishte përçarë një kampanjë phishing-u nga Kina që synonte të vidhte llogaritë e-mail të zyrtarëve qeveritarë, aktivistëve politik kinez dhe personelit ushtarak.

Ndërsa në shkurt të këtij viti, McAfee kishte publikuar një raport që deklaronte se sulmet e nisura nga Kina kanë vjedhur gigabajtë të të dhënave nga së paku pesë kompani të naftës, gazit dhe produkteve tjera të ngjashme.

Qeveria kineze ka mohuar përfshirjen edhe në këto sulme.

Lajmet e fundit>