Internet

Kina ka tashmë mbi 564 milionë përdorues interneti

Jan 16 2013
0 Shpërndarje
Kina ka tashmë mbi 564 milionë përdorues interneti

China internetPopullsia online e Kinës deri në fund të muajit dhjetor kapi shifrën e 564 milionë përdoruesve, një rritje prej 26 milionë vetëm në gjashtë muajt e fundit, sipas një grupi kërkimor që operon në vetë këtë shtet.

Shifrat e reja nënkuptojnë se penetrimi në Kinë është 42.1%, lajm ky që konfirmohet edhe nga Qëndra e Informacionit të Internetit kineze, e cila është e lidhur me qeverinë. Për të bërë një krahsim, penetrimi i internetit në SHBA është 77%, sipas Internet World Stats, ndërsa ai në Shqipëri arrin në shifrën 49%, referuar po të njëjtit burim.

Bazuar në shifrat nominale, popullsia online e Kinës renditet e para, edhe pse rritja është zvogëluar gjatë viteve të fundit, trend ky që nuk pritet të ndryshojë sipas Qendrës së Informacionit të Internetit kinez. Mes jo-përdoruesve të internetit që u pyetën në dhjetor, 77.3% e tyre u shprehën se kishte pak ose aspak gjasa që të lidheshin me internetin në gjashtë muajt e ardhshëm. Kjo shifër ka një rritje prej 12% krahasuar me shifrat e mesit të vitit 2011.

Qëndra e Informacionit të Internetit deklaroi se arsyet kryesore pse shumë njerëz nuk janë ende të interesuar për t’u lidhur online është fakti se ende nuk e kuptojnë mirë kompjuterin apo konceptin e internetit. Shumë prej tyre nuk kanë shumë nevojë për të hyrë online dhe aplikacionet aktuale në internet janë larg stilit të jetës së tyre.

China internet usersPër të hapur uebin drejt sa më shumë kinezëve, Qëndra e Informacionit të Internetit këshillon industrinë që të shkojë përtej ndërtimit të rrjeteve të reja apo uljes së çmimeve, por të mendojë për mënyra të reja krijuese se si mund ta sjellë internetin në segmente të ndryshme përdoruesish.

Shumë përdorues në Kinë janë online edhe nëpërmjet celularëve të tyre. Në fund të dhjetorit, Kina kishte 420 milionë përdorues interneti mobile, shifër e rritur me 32 milionë në gjashtë muajt e fundit. Disa arsye që kanë ndihmuar në këtë aspekt janë smartfonët me çmime të ulta, planet tarifore më të lira si dhe popullariteti i aplikacioneve mobile. 81% e përdoruesve kinezë të internetit janë në moshën 39 vjeç, ndërsa për sa i përket arsimimit të tyre, 35.6% kanë përfunduar vetëm shkollën 9-vjeçarë apo më pak. (CIO Albanian)

Tags >

internet
Lajmet e fundit>