IT Organizate

Këtë javë, në Tiranë zhvillohet forumi evropian i broadband

Sep 4 2012
0 Shpërndarje
Këtë javë, në Tiranë zhvillohet forumi evropian i broadband

Këtë javë Shqipëria do të presë një ndër eventet më të rëndësishme që lidhen me zhvillimin e teknologjive të informacionit.

Në datat 6 dhe 7 Shtator në Tiranë do të zhvillohet forumi rajonal për Evropën në Broadband me temë: “Broadband, një shtyllë e zhvillimit ekonomik dhe social”.

Forumi do të organizohet nga Ministria për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit, në bashkëpunim me Unionin Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU).

Sipas organizatorëve, ky forum rajonal është një mundësi për një dialog të nivelit të lartë mes palëve të interesuara rreth strategjive dhe politikave për zhvillimin e Broadband-it në rajon, si dhe një rast për të diskutuar sfidat dhe mundësitë e ofruara nëpërmjet rrjeteve me shpejtësi të lartë dhe ofrimit të shërbimeve elektronike me anë të infrastrukturës moderne, duke përfshirë, të mësuarit elektronik (e-learning), e-Qeverisjen, e-Shëndetësinë etj.

Forumin do ta përshëndesë Kryeministri i vendit Sali Berisha, Ministri për Inovacionin dhe TIK Genc Pollo, Sekretar i Përgjithshëm i ITU, Hamadoun Touré dhe Brahima Sanou, Drejtor i Zyrës së Zhvillimit të Telekomunikacionit të ITU-së.

Pjesëmarrës të tjerë pritet të jenë ministra të vendeve të rajonit, si dhe drejtues të autoriteteve rregullatore, apo menaxherë të telekomunikacionit dhe TIK të vendeve të rajonit dhe të Evropës.

Me qëllim diskutimin mbi zhvillimet më të fundit lidhur me Broadband-in në rajon, forumi do të shqyrtojë ndër të tjera mënyrat për të maksimizuar përfitimet ekonomike dhe sociale nga kjo infrastrukturë. Duke sjellë së bashku partnerë nga sektori publik dhe privat, forumi pritet të gjenerojë ide të reja për të nxitur kërkesën për Broadband dhe për e-Shërbime.

Qasja në rrjetet me internet me shpejtësi të lartë është zhvilluar shumë në dekadën e fundit dhe po shihet gjithnjë e më tepër si infrastrukturë thelbësore për rritjen e ekonomisë globale dhe të informacionit.

Kërkesa për më shumë brez të gjerë të rrjeteve te komunikimit elektronik është një nga temat qendrore që diskutohet sot në botë, dhe një nga objektivat e forumit është eksplorimi i mënyrave për të stimuluar kërkesën për broadband, me qëllim rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Sipërmarrësit e interesuar për të marrë pjesë në këtë aktivitet mund të gjejnë më shumë informacion në këtë adresë. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>