Microsoft

KE heton ndërmarrjen Microsoft

Jul 18 2012
0 Shpërndarje
KE heton ndërmarrjen Microsoft

Komisioni Europian (KE), e ka vendosur sërish me shpatulla pas murit Microsoft-in në lidhje me faktin se sa liri u ofron klientëve për të zgjedhur vetë shfletuesin.

Në vitin 2009, KE i vuri një rregull Microsoft-it, me anë të së cilit kompania ishte e detyruar t’ju shfaqte një dritare përdoruesve në mënyrë që ata të zgjidhnin vetë shfletuesin e preferuar.

Komisioni ka deklaruar se dyshon se ky rregull nuk është zbatuar nga kompania gjatë instalimit të Windows 7 Service Pack, ndërsa Microsoft nga ana tjetër shprehet se kjo ka ndodhur për arsye të një gabimi teknik dhe se kanë marrë menjëherë masa për të rregulluar këtë problem. Ata e mbyllin deklaratën duke shprehur keqardhje për këtë defekt.

“Ne i marrim shumë seriozisht bashkëpunimet dhe i kemi besuar raporteve të Microsoft-it, por mesa duket kemi gabuar. Nëse kjo shkelje vërtetohet, ata duhet të presin ndëshkimet.”, tha Joaquin Almunia, zv. president i Komisionit.

Microsoft kishte për detyrë t’ju ofronte përdoruesve një dritare ku të mund të zgjidhnin shfletuesin e tyre të preferuar, në vend që t’ju paraqesin atyre vetëm Internet Explorer, pasi në këtë mënyrë rritej konkurrenca midis këtyre programeve në internet.

Nëse KE zbulon se kompania i ka shkelur rregullat, gjoba mund të arrijë deri në 10% të të ardhurave vjetore. (CIO Albanian)

Tags >

microsoft
Lajmet e fundit>