Business & Management

Katër sfida për Facebook pas IPO

May 17 2012
0 Shpërndarje
Katër sfida për Facebook pas IPO

Kalimi i Facebook në një kompani me aksione publike do të ndryshoj botën në të cilën operon kjo kompani. Takime të aksionarëve, raporte të të hyrave, dhe presioni i vazhdueshëm për të rritur profitin do të jenë disa nga ndryshimet thelbësore që do të prekin rrjetin më të madh shoqëror në internet. Megjithatë Facebook IPO s’do të jetë vetëm për të shtuar të hyrat, por kjo do të përkoj edhe me vizionin e Mark Zuckerberg për një botë më të ndërlidhur. Por, s’do të mungojnë sfidat në këtë drejtim, e më poshtë janë të listuar katër nga sfidat kryesore që presin Facebook pas daljes në kompani publike.

Rikthimi i besimit nga përdoruesit

Shihet qartazi që problemet me shkeljen e privatësisë nga Facebook nuk kanë ndikuar në rritjen e këtij rrjeti shoqëror. Por, besimi i përdoruesve në Facebook nuk është në nivele të kënaqshme. Një sondazh i realizuar nga Associated Press dhe CNBC shfaqi që 59% e përdoruesve nuk besojnë që Facebook do të mbaj informatat e tyre private, dhe 54% e përdoruesve nuk ndjehen të sigurt të paguajnë për shërbime dhe të mira me anë të Facebook.

Për të rikthyer besimin, Facebook duhet të jetë më transparent me atë se çfarë ndodh me të dhënat tona, sidomos ato që shfrytëzohen nga palët e treta si aplikacione dhe uebfaqe të ndryshme.

Dominim më i madh mobil

Rezultatet e fundit nga Comscore tregojnë që 80% e përdoruesve të celularëve të mençur në SHBA qasen në Facebook me anë të këtyre celularëve. Edhe pse tingëllon si shifër gjigante, kjo mund të ishte edhe më e madhe sikur të ekzistonte ekosistemi i aplikacionit të veçantë të Facebook për celularë dhe tabletë. Thashethemet e fundit për celularin e Facebook nuk kanë shfaqur ndonjë rezultat real, e ngjashëm ka ndodhur me platformën mobile për aplikacionet e Facebook.

Rregullimi i kaosit të shpërndarjes

Duke lejuar përdoruesit të shpërndajnë linqe dhe detaje tjera për jetën e tyre pa shumë mund, Facebook ka krijuar një kaos. Ky kaos bëhet edhe më i madh si pasojë e aplikacioneve të cilat publikojnë detaje për atë se çfarë janë duke bërë përdoruesit e këtyre aplikacioneve që si rrjedhojë ka publikimin e informacioneve të tepërta e shpesh të panevojshme. Gjithashtu këto aplikacione u mohojnë përdoruesve të shpërndajnë vetëm gjërat më të mira, e nganjëherë aksidentalisht shpërndajnë edhe gjëra të turpshme. Kuptohet që tu tregosh miqve për jetën tënde duhet të jetë një mënyrë e lehtë, por për momentin kjo është tepër e lehtë deri në një pikë neveritëse për ata përdorues që nuk dëshirojnë të përpihen nga rrjetet shoqërore.

Rreziku nga komforti

Gjatë rritjes së vazhdueshme Facebook do të has në sfida si çdo kompani tjetër e madhe teknologjike. Blerja e Instagram, një marrëveshje që duhet të miratohet nga autoritetet rregullative, Facebook ka zgjedhur mënyrën e lehtë për tu përballur me konkurrencën nga kompanitë më të vogla, zakonisht kompanitë startup. Sidoqoftë gjatë kohës do të shfaqen akoma kompani të tilla si Instagram dhe Facebook nuk mund ti blej të gjitha ato. /CIO.al/

Tags >

facebook
Lajmet e fundit>