Siguri

Kaspersky sjell një produkt të vetëm sigurie për biznet e vogla dhe të mesme

Feb 9 2013
0 Shpërndarje
Kaspersky sjell një produkt të vetëm sigurie për biznet e vogla dhe të mesme

KasperskyKompanive u duhet të përballen me një sërë problemesh sigurie dhe kërcënimesh online. Sistemet operative dhe aplikacionet duhet të mbrohen dhe të përditësohen herë pas here.

Po ashtu duhet të vendosen mjete monitorimi që identifikojnë dhe bllokojnë malueret. Edhe për të dhënat duhet të merren masat e duhura për t’i mbrojtur nga ekspozimi apo kompromentimi. Trendet e pajisjeve mobile dhe BYOD (bring your own device – sillni pajisjen tuaj) janë një shqetësim më tepër përsa i përket sigurisë.

Për të gjitha këto arsye, Kaspersky synon që t’iu vijë në ndihmë bizneseve të vogla dhe të mesme. Mjetet e reja që do të lançojë kompania, kombinojnë menaxhimin e të gjitha funksioneve të mësipërme në një produkt të vetëm. Përmes tij, menaxherët e IT-së së këtyre bizneseve mund të vëzhgojnë dhe monitorojnë çdo aspekt lidhur me sigurinë nga një vend i vetëm.

Prej kohësh, Kaspersky Lab ka udhëhequr kërkimet në sulmet e sofistikuara kibernetike si ato të spiunazhit (Flame, Gauss, dhe Red October – sulme që kanë targetuar dhe dëmtuar shumë sistemeve vitet e fundit). Kompania me zyra kryesore në Moskë ka zbuluar javën e kaluar në Nju Jork Kaspersky Endpoint Security for Business.

Ky mjet lehtëson punën e përballjes me problemet e sigurisë dhe zgjidh një sërë çështjesh të rëndësishme në këtë aspekt. Duke bashkuar në një produkt të vetëm menaxhimin e sistemit, menaxhimin e rregullimeve, antimaluerin, menaxhimin e pajisjeve mobile, mbrojtjen e të dhënave etj., Kaspersky Endpoint Security for Business u premton menaxherëve të IT-së mbrojtje të të gjitha sistemeve përmes një paneli komandimi të vetëm.

Fatkeqsisht, kompania nuk e tregon çmimin e Endpoint Security for Business. Për këtë do t’ju duhet të kontaktoni një rishitës zyrtar dhe të pyesni specifikisht për kompaninë tuaj. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>