Mobile

Kartat për thirrjet jashtë, më pak përfitime për përdoruesit

Sep 1 2012
0 Shpërndarje
Kartat për thirrjet jashtë, më pak përfitime për përdoruesit

Në vitet e fundit, shqiptarët kanë përdour si një ndër instrumentet kryesorë për të kryer thirrje ndërkombëtare, kartat me parapagesë që përdoren përmes rrjetit fiks.

Duke blerë një kartë të tillë dhe duke kryer pa pagesë thirrje përmes prefiksit 0800, përfitohen tarifa më të leverdisshme për thirrje ndërkombëtare se sa ato që ofrojnë operatorët fiks apo ata celularë.

Por, që nga shtatori i vitit 2010 Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare vendosi të lejojë Albtelecom-in të rrisë tarifën që merr nga Operatorët e Shërbimit me Kartë të Parapaguar për origjinimin dhe tranzitimin e thirrjeve në rrjetin e vet. Kjo do të thotë se, për çdo thirrje që një përdorues kryen përmes numrit 0800, operatori i kartës duhet t’i paguajë Albtelecom-it një tarifë më të lartë.

Kjo ka rritur kostot e këtyre operatorëve dhe ka ulur përfitimet e përdoruesve të tyre. Këta operatorë u ankuan në AKEP, me pretendimin se rritja e tarifës nuk bazohet në analizë kostoje dhe favorizon Operatorin me Fuqi të Ndjeshme në Treg.

AKEP e rrëzoi ankesën e këtyre operatorëve, por së fundmi është Autoriteti i Konkurrencës që ju ka dhënë pjesërisht të drejtë. Në një vendim që analizon gjendjen e këtij tregu dhe nxjerr disa rekomandime, Autoriteti i Konkurrencës shprehet se AKEP ka përdorur metodën e kompensimit të tarifave.

Me qëllim kompensimin e tarifave të pajtimit mujor në telefoninë fikse, të cilat aktualisht janë nën kosto nga AKEP, është menduar të rriten tarifat e aksesit me qëllim që të kompensohen tarifat e pajtimit mujor te telefonisë fikse.

Sipas Autoritetit të Konkurrencës, kjo bën që tarifat për shërbimet e aksesit të jenë të deformuara dhe të rëndojnë mbi Operatorët e Shërbimit me Kartë.

E ndodhur nën presionin e qeverisë për mos rritur pajtimin mujor të telefonisë fikse, AKEP ka vendosur ta kompensojë Albtelecom-in në tarifat e shërbimeve të tjera.

Ky vendim deformon konkurrencën edhe për faktin se vetë Albtelecom ofron shërbim me kartë të parapaguar, të quajtur “AlbBlue”.

Por, Albtelecom nuk mban llogari të veçanta financiare për këtë shërbim, çka, sipas Autoritetit të Konkurrencës, nuk bën të mundur një analizë të kostove. Për këtë arsye, i është rekomanduar AKEP vendosja e detyrimit që Albtelecom të mbajë llogari të veçanta për këtë shërbim, në mënyrë që të jetë i mundur verifikimi i abuzimeve të mundshme me pozitën dominuese, në dëm të konsumatorëve dhe operatorëve të tjerë. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>