Mobile

ITU kundërshton “bashkimin kombëtar” të telefonave

Sep 7 2012
0 Shpërndarje
ITU kundërshton “bashkimin kombëtar” të telefonave

Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacioneve, ITU, kundërshton rezulutën e Kuvendit të Kosovës për të përdorur prefiksin telefonik të Shqipërisë.

Sekretari i përgjithshëm i ITU, Hamadoun Toure, tha sot në Tiranë se ky do të ishte një precedent i dëmshëm dhe do të prishte rregullat ekzistuese. Prefikset telefonike jepen nga ITU vetëm për vendet që janë anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ndërsa Kosova nuk është një vend anëtar.

Sipas zotit Toure, sot në botë përdoren 6 miliardë telefona, secili me një numër unik, dhe kjo falë rregullave që zbaton ITU. Ai tha se Kosova do të marrë një prefix sapo të bëhet vend anëtar i OKB. Nga ana e tij, kryeministri shqiptar Berisha, e vlerësoi parimisht rezolutën e Kuvendit të Kosovës, por tha se nuk do të mbajë një qëndrim para se të konsultohet me ekspertët.

ITU u shpreh sot me gojën e funksionarit të vet më të lartë se nuk e miraton përdorimin e një prefiksi të përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë. Sekretari i Përgjithshëm nuk dha ndonjë alternativë për mënyrën si duhet ta zgjidhë Kosova problemin e prefiksit, por la të kuptohet se duhet të vazhdojë status-quo-ja e fundit e miratuar nga ky institucion, pra, përdorimi i prefiksit të Serbisë.

Kuvendi i Kosovës miratoi dje një rezolutë që i kërkon qeverisë të ndërpresë përdorimin e prefikseve të Serbisë, Sllovenisë dhe Principatës së Monakos dhe t’i zëvendësojë ato me prefiksin e Shqipërisë.

Rezoluta përcakton se “duke pasur parasysh humbjet e mëdha financiare që ka pësuar dhe  pëson Republika e Kosovës nga shfrytëzimi i kodeve të huaja telefonike dhe duke pasur parasysh koston e komunikimit midis qytetarëve që janë shfrytëzues të kodeve të ndryshme telefonike brenda vendit”, qeveria duhet të ndërpresë kontratat ekzistuese dhe të nisë negociatat për përdorimin e prefiksit të Shqipërisë. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>